74 milionë euro për 3 objekte të reja dhe rinovimin e Spitalit Klinik të Tetovës

Nga Xh M
449 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 17 maj Zhurnal.mk – Një premtim që nisi para zgjedhjeve të vitit 2025, po përballet sërish me filtrat e ngadalshëm të burokracisë shtetërore. Edhe pse bëhet fjalë për një investim jetik prej 74 milionë eurosh për Spitalin Klinik të Tetovës, projekti për ndërtimin e tre objekteve të reja ka ngecur në Ministrinë e Financave. Drejtori i Spitalit të Tetovës, Erzen Elezi, thotë se spitali ka krijuar një grup pune dhe ka dorëzuar në ministri projektin për ndërtimin e tre objekteve të reja dhe renovimin e dy blloqeve, atij kirurgjikal dhe atij internistik.

“Ky projekt, domethënë, është për tre objekte të reja në Spitalin Klinik të Tetovës. Një objekt është i paraparë për Gjinekologjinë, një objekt është i paraparë për Medicinën Nukleare dhe një objekt është paraparë për repartin e Infektivës, Psikiatrisë, Dermatologjisë e të tjera. Gjithashtu, është paraparë edhe renovimi komplet i bllokut kirurgjikal me bllokun internistik”, tha Erzen Elezi – Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës.

Sipas tij, ky projekt ka kaluar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe tani ndodhet në Ministrinë e Financave, ku pritet që edhe atje të lëvrohen mjetet. Nga 74 milionë euro, vetëm 5% e këtyre mjeteve duhet të financohen nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa 95% janë mjete nga Bashkimi Evropian.

“Derisa në Ministrinë e Shëndetësisë kanë kaluar të gjitha fazat ligjore, tani është në Ministrinë e Financave dhe shpresoj se shumë shpejt edhe atje do të mund ta realizojmë, që mjetet financiare të kalojnë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë që të mund ta realizojmë këtë projekt. Gjithashtu duhet të potencoj se 95% e buxhetit, të këtyre 74 milionëve, financohet nga mjetet evropiane, kurse 5% janë nga Ministria”, u shpreh Erzen Elezi – Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës.

Premtimi i parë për investime në Spitalin Klinik të Tetovës u bë pikërisht para zgjedhjeve lokale të vitit 2025. Që nga ajo kohë e deri më tani, vetë ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, shpeshherë ka premtuar se ky projekt do të realizohet. Por një gjë është e sigurt: nëse në Tetovë investohen 74 milionë euro, Spitalit Klinik i Tetovës do të bëhet një ndër qendrat klinike më moderne, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër