Shkup, 2 korrik – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama edhe pse erdhi në Shkup për të marr pjesë në Samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor e njëjta u “keqpërdor” edhe për tubime partiake. Edhe pse temë kryesore ishte e ardhmja Evropiane e gjashtë shteteve të Ballkanit, pas përfundimit të pjesës zyrtare, kryeministri Rama preferoi që drekën ta hajë në Çarshi të Vjetër të Shkupit se sa me kolegët e tij kryeministra, shkruan Zhurnal.mk.
Por, defilimi i tij në Çarshinë e Vjetër, u pa se nuk ishte aq “kombëtar dhe patriotik” sa u shit, por se më shumë ishte fushatë zgjedhore. Fatkeqësisht kryeministri Rama kësaj radhe u manipulua keq, sepse nga thirrja për mikpritje të kryeministrit shqiptar në Shkup, u bë në thirrje e simpatizantëve të BDI-së që të bëjnë nga ndonjë selfie foto me Ramën. Kjo e humbi komplet peshën e vizitës së Ramës në cilësinë e kryeministrit, duke e bërë atë vetëm një kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë që e vizitoi Çarshinë e Shkupit.
Rama gjatë vizitës së tij në Shkup, u pa duke defiluar së bashku me disa figura politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, vlen të theksohet se asnjëri nga personat që e shoqëruan atë nuk mban aktualisht pozita të larta shtetërore. Rrjedhimisht, ajo mund të konsiderohet si një vizitë me karakter partiak, ku ai ka marrë pjesë në aktivitete të organizuara nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).
Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme apo të gabuar në një veprim të tillë – partitë politike kanë të drejtë të bashkëpunojnë dhe të mbështesin njëra-tjetrën. Por është e rëndësishme që kjo të thuhet hapur, pa e paraqitur si vizitë zyrtare apo të shoqërohet me “befasi” të simuluar, siç ndodhi në të kaluarën kur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, realizonte takime me përfaqësues të opozitës së atëhershme shqiptare në Maqedoninë e Veriut, dhe ndaj tij shpërthenin reagime nga mediat dhe BDI-ja.
E njëjta po ndodh tani me BDI-në, e cila duket se e ka humbur energjinë dhe kërkon “muskuj force” nga Shqipëria. Në këtë këndvështrim, Rama ishte tepër i indinjuar kur Kurti i hapi parti dhe i konkurroi në zgjedhjet në Shqipëri, por tani kur përzihet në fushata zgjedhore të partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, i duket gjithçka normale.
Nëse kryeministri i Shqipërisë defilimin nëpër Shkup e kishte me qëllime kombëtare për promovimin e vlerave shqiptare, defilimin e tij duhej ta bënte duke e kaluar edhe Urën e Gurit dhe ta përfundonte atë në qendër të sheshit të Shkupit. Simbolikat kanë shumë peshë në diplomaci dhe mesazhi që u përçua dje nga Rama ishte as patriotik, as kombëtar dhe as shtetëror. Ishte thjeshtë një intrigrim dhe një mashtrim që u bë se gjoja po viziton Shkupin e Vjetër, e në fakt vizitoi eksponentë të BDI-së.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk kanë nevojë për përçarje, nuk kanë nevojë që në zjarrin që digjet të hidhet edhe më shumë benzin, por duhet të ndodhë krejtësisht e kundërta. Edhe Rama por edhe Kurti, nëse me të vërtetë ua duan të mirën shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duhet të bëjnë apel për bashkim dhe t’iu japin instruksione të qarta politikanëve se si të mbrohet interesi kombëtar. Inatet personale Rama – Kurti dhe interesat e ngushta politike BDI – VLEN, nuk duhet të reflektohen në përçarje më të thelluara, sepse kur shqiptarët përçahen të tjerët forcohen e bashkohen edhe më shumë.
Në të kaluarën asnjë kryeministër i Kosovës apo i Shqipërisë asnjëherë nuk është përzier kaq hapur e direkt në punët e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Por, nuk ka ndodhur as e kundërta, që ndonjë parti politike e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që të përzihet në zgjedhjet në Shqipëri apo Kosovë.
Gjithmonë, është mbajtur teza se ajo parti që është në pushtet, me atë duhet të mbahen kontaktet zyrtare, pavarësisht se kanë pasur ose jo simpati për Sali Berishën apo Edi Ramën, ose për Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn apo Albin Kurtin. Ka qenë e qartë cila është politika zyrtare!
Gabim të madh në këtë lojë janë duke bërë edhe partitë shqiptare të Maqedonisë së Veriut, të cilat me këto anime politike tregojnë vetëm se sa të dobët janë. Ndryshe thënë, kjo i bie sikur vëllau i vogël kur ka telashe dhe është i dobët, e thërret në ndihmë vëllain e madh!
Llogaritë politike duhet të lahen karshi popullit dhe qytetarëve që të votojnë, sepse tek e fundit nuk vjen as Rama e as Kurti të votojnë në Maqedoni!
Andaj, Rama gaboi që u përfshi në lojëra politike të BDI-së, ngjashëm siç gaboi Kurti më parë!
Burrështetasit mendojnë për të ardhmen e kombit dhe jo për interesat e individëve që e kanë humbur rrugën në oborr!, shkruan “Zhurnal.mk”.
