Dënimet për pronarët e marketeve mbeten forma e vetme për stabilizimin e çmimeve!

nga I.A

Shkup, 7 janar – Paralajmërimi i kryeministrit Hristijan Mickoski për rritjen drastike të gjobave ndaj marketeve që rrisin çmimet është një hap i rëndësishëm për ruajtjen e interesit të qytetarëve. Por, a mund të stabilizohen çmimet përmes masave ndëshkuese? Apo kjo qasje rrezikon të mbetet vetëm një mesazh politik për opinionin publik. Me propozimin që gjobat të rriten deri në dhjetëfish, duke arritur deri në 200.000 euro, qeveria po sinjalizon një qasje më të ashpër ndaj praktikave që i cilëson si të pandershme tregtare, shkruan Zhurnal.

Vetëm përmes dënimit mund të vjen edukimi për mos përfitim në kurriz të qytetarëve – 

Ligji aktual për parandalimin e praktikave të pandershme tregtare parasheh gjoba deri në 20.000 euro për marketet e mëdha, por sipas kryeministrit, ky nivel ka rezultuar i pamjaftueshëm për të frenuar rritjen e çmimeve. Në këtë kontekst, qeveria e justifikon ashpërsimin e sanksioneve me nevojën për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet dhe për të rivendosur balancën mes interesit publik dhe fitimit privat.

Argumenti i Mickoskit se disa rrjete marketesh nuk e kanë kuptuar “mesazhin paralajmërues” dhe vazhdojnë të rrisin çmimet, e pozicionon qeverinë si arbitër që ndërhyn kur tregu dështon. Veçanërisht shqetësuese janë akuzat për praktika të maskuara tregtare, ku përfitimet shtesë nuk paraqiten më si përqindje klasike, por si shërbime marketingu apo hulumtimi tregu, duke e bërë më të vështirë gjurmimin e abuzimeve.

A do ta zgjidhin problemin e abuzimit dënimet e larta? 

Megjithatë, pyetja kryesore mbetet nëse gjobat e larta do ta zgjidhin problemin në thelb. Përvoja ekonomike tregon se ndëshkimi financiar mund të jetë efektiv vetëm nëse shoqërohet me kontroll të vazhdueshëm institucional, transparencë dhe zbatim të barabartë të ligjit. Në të kundërtën, ekziston rreziku që marketet t’i transferojnë kostot e gjobave te konsumatorët, duke rritur edhe më tej çmimet, ose të gjejnë forma të reja për t’i anashkaluar rregullat.

Nga ana tjetër, hetimet e vazhdueshme të Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës tregojnë se institucionet po përpiqen të ndërtojnë raste të forta ligjore. Kritika e kryeministrit ndaj gjobave “simbolike” prej 50.000 eurosh për katër markete të dyshuara për kartel ngre dyshime mbi efektivitetin e deritanishëm të zbatimit të ligjit.

Në aspektin ekonomik, stabilizimi i çmimeve nuk varet vetëm nga frika e ndëshkimit. Ai kërkon konkurrencë reale, zinxhir furnizimi funksional dhe politika që nxisin prodhimin vendor. Pa këto elemente masat ndëshkuese mund të krijojnë vetëm një stabilitet të përkohshëm ose artificial.

Kujtojmë që, rritja e gjobave për marketet mund të shërbejë si instrument presioni dhe si sinjal politik se qeveria është e gatshme të mbrojë interesin e qytetarëve. Por që kjo qasje të japë rezultate afatgjata, ajo duhet të shoqërohet me reforma strukturore, transparencë institucionale dhe zbatim konsekuent të ligjit. Përndryshe, dënimet e ashpra rrezikojnë të mbeten më shumë një formë ndëshkimi sesa një zgjidhje e qëndrueshme për stabilizimin e çmimeve. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More