Shkup, 06, maj, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski dje tha se do të ketë zgjedhje të hershme parlamentare “shumë shpejtë”, por sot tha se jo këtë vit, shkruan Zhurnal.mk.
“Qëndrimi im është se nuk do të ketë zgjedhje këtë vit,” u tha gazetarëve ai sot.
Ai u arsyetua se nuk do të ketë zgjedhje në 2026, sepse qeveria po merret me reforma.
“Ky vit është një vit reformash dhe vit konsolidimi. Do të doja të kishim zgjedhje të rregullta që do të zhvillohen në pranverën e vitit 2028″, theksoi Mickoski.
Mickoski e la të hapur mundësinë që të ketë zgjedhje të hershme në vitin 2027.
A ka nevojë për zgjedhje tani!
Në qershor të vitit 2024, Qeveria aktuale u zgjodh me 77 vota “pro” në Parlament, pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit 2024. Tani pas dy viteve, kryeministri Mickoski hapi temën e zgjedhjeve parlamentare. Edhe pse vazhdimisht ai mohonte se do të ketë zgjedhje të parakohshme, tani dilema nuk është vetëm nëse do të ketë zgjedhje, por pyetja më e rëndësishme është pse do të kishte zgjedhje tani, kush do të përfitonte prej tyre dhe çfarë do të fitonin qytetarët nga një cikël tjetër zgjedhor?
Në logjikën normale parlamentare, zgjedhjet e parakohshme thirren kur ka një bllokim politik, rënie të shumicës, humbje të legjitimitetit, një krizë serioze shtetërore ose nevojë që qytetarët të vendosin për një çështje që nuk mund të zgjidhet në përbërjen aktuale të Parlamentit. Në Maqedoninë e Veriut, të paktën për momentin, një kusht kaq i qartë institucional nuk është i dukshëm. Qeveria ka mbështetje parlamentare, mandati zyrtarisht zgjat deri në vitin 2028 dhe qeveria nuk ka nevojë të menjëhershme të kërkojë shpëtim nga një Parlament i bllokuar.
Zgjedhjet e parakohshme kërkohen më shpesh nga ata që vlerësojnë se janë në një pozicion më të mirë tani sesa do të ishin nesër. Kjo vlen për një qeveri që dëshiron të përfitojë nga vlerësimet e saj, për një partner koalicioni që dëshiron ta shndërrojë suksesin lokal në peshë parlamentare, por edhe për opozitën që duhet të tregojë se nuk ka frikë nga konkurrenca, shkruan “Zhurnal.mk”.
Në dobi të kujt shkojnë zgjedhjet!
Me zgjedhjet e tanishme të parakohshme parlamentare, do të ndodhë një shpërqëndrim i fokusit publik. Në vend se politika të merret me sfidat e radhës, ndër të cilat është zhbllokimi i rrugës së integrimit në BE, temë e politikës ditore do të ishin zgjedhjet parlamentare, në këtë formë do të shmangej përgjegjësia direkte nga presioni ndërkombëtar.
LSDM si parti opozitare aktualisht është ende e dobët dhe e pakonsoliduar mirë dhe kjo situatë nuk është shpresë për ata. Pra në këtë konstalacion, VMRO DPMNE do të korrte një fitore bindëse, jo ndoshta me numrat e tanishëm të deputetëve por megjithatë do të ishte në një avantazh të dukshëm karshi LSDM-së.
Për BDI-në këto zgjedhje duken shpresëdhënëse, por duke parë arrestimet e shumta të fundit për ish-funksionarët e saj dhe jo ndryshimet e pritura, shpresa të populli për një përkrahje të fuqishme është ende e zbehtë.
VLEN nga ana tjetër tek tani po konsolidohet si një parti serioze dhe duket se do të vjen më 9 maj me një pompozitet të madh. Por, edhe këtij subjekti politik i duhet të shuajë ambiciet dhe fërkimet nëpër shumë zona lokale dhe të konsolidojë sa më shpejt radhët e tyre, prandaj edhe përgjigja e VLEN-it ishte në këtë drejtim.
Njoftimi për zgjedhje parlamentare lexohet edhe si një kthim i mundshëm në modelin e qeverisjes përmes mobilizimit të vazhdueshëm elektoral, ndërsa në të njëjtën kohë hap tezën se zgjedhjet mund të jenë të dobishme për rikompozimin e marrëdhënieve në bllokun politik shqiptar dhe për sigurimin e një shumice më të besueshme për çështje të ndjeshme ligjore dhe politike, duke siguruar parimin e “Badenterit”, shkruan “Zhurnal.mk”.
Rezultatet e zgjedhjeve lokale i favorizojnë partitë në pushtet
Qeveria gjithmonë dëshiron një parlament në të cilin çdo votë nuk do të shndërrohet në pazarllëk dhe çdo reformë në shantazh të ri.
Pas zgjedhjeve lokale në vitin 2025, VLEN doli me kapital politik të shtuar në komunat me popullsi dominuese shqiptare. Pas dy raundeve VMRO-DPMNE kishte 55 kryetarë komune, VLEN 10, LSDM 6, AKI 4, dhe ZNAM dhe Unioni i Romëve nga një kryetarë komune.
Këto kalkulime tregojnë se rezultati i zgjedhjeve lokale mund të përkthehet si një avantazh për partitë politike që janë në pushtet.
Partitë opozitare nuk mund të thonë formalisht se janë kundër zgjedhjeve, sepse secila opozitë sipas përkufizimit pretendon se është gati të ndryshojë qeverinë. Por është një gjë të jesh i përgatitur në një deklaratë, dhe një tjetër të jesh i organizuar dhe me program konkret për zgjedhje.
Nëse merren parasysh rezultatet e zgjedhjeve lokale, shkuarja në zgjedhje të parakohshme tani do të ishte një provë e vështirë për partitë në opozitë.
Prandaj, mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme mund t’i konvenojnë më shumë partive në qeveri, por një gjë është e sigurtë, se qytetarët dhe shteti nuk do të përfitojnë asgjë nga zgjedhjet. Vetëm do të bllokohen proceset, do të shtyhen projektet dhe do të vonohen premtimet.
Andaj, qytetarët kanë nevojë për një qeveri që jep rezultate, një opozitë që kontrollon dhe propozon, institucione që i kryejnë obligimet, një ekonomi që nuk jeton me premtime dhe një perspektivë evropiane që nuk përdoret si kartë për pikë politike ditore, shkruan “Zhurnal.mk”.
