Bie fuqia ushtarake e Maqedonia e Veriut në renditjen globale për vitin 2026, mbetet 37 vende pas Shqipërisë

Nga B.M
519 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 janar – Maqedonia e Veriut është renditur në vendin 114 nga 145 shtete të përfshira në vlerësimin vjetor të Global Firepower (GFP) për renditjen e fuqisë ushtarake për vitin 2026, shkruan Potalb.mk.

RMV-ja ka rezultat të Indeksit të Fuqisë (PwrIndx) prej 2.4956 (ku rezultati 0.0000 konsiderohet “perfekt”). Në krahasim me vitin e kaluar, vendi ka shënuar rënie.

Nga vendet e rajonit të analizuara, pas RMV-së edhe Bosnja dhe Hercegovina ka shënuar rënie dhe renditen në vendin 133.

Shqipëria ka shënuar rritje dhe renditet në vendin 77.

Më lartë nga vendet e rajonit renditen Greqia në vendin e 30, Bullgaria në vendin 62, Serbia në vendin 63, Kroacia në vendin 72 dhe Sllovenia në vendin 91.

Lidhur me këto të dhëna ka reaguar Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, ata thonë se Maqedonia e Veriut po shënon regres të vazhdueshëm në çdo raport ndërkombëtar.

“Raporti vjetor i platformës ndërkombëtare Global Firepower për vitin 2026 është edhe një dëshmi e qartë e stagnimit dhe regresit të Maqedonisë së Veriut në fushën e sigurisë dhe kapaciteteve shtetërore. Ndërsa vendet e rajonit shënojnë progres ose të paktën ruajnë pozicionet e tyre, Maqedonia e Veriut vazhdon të bjerë”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit.

Në 10 vendet e para janë të radhitura SHBA-të, Rusia, Kina, India, Koreja e Jugut, Franca, Japonia, Britania e Madhe, Turqia dhe Italia.

Renditja përfundimtare e Global Firepower përdor mbi 60 faktorë individualë për të përcaktuar rezultatin e Indeksit të Fuqisë (PowerIndex) për secilin shtet, me kategori që variojnë nga numri i njësive ushtarake dhe gjendja financiare, deri te kapacitetet logjistike dhe gjeografia.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër