Shkup, 2 shkurt – BDI e njohur si partia politike e cila është e shtrirë në nivel vendi më së mirë nga gjitha partitë tjera shqiptare, kohëve të fundit ka marr tatpjeten. Po ngjanë që në BDI ngjiten vetëm ata që kanë hedhur baltë mbi këtë subjekt politik. E këtë nuk e thonë vetëm kritikët nga jashtë, por edhe anëtarë që kanë peshë politike dhe ndikim në zona të rëndësishme për shqiptarët. Njëri ndër ta është edhe, Fatmir Izairi, i cili nuk ka heshtur ka zgjedhur të flasë zëshëm kundër këtij fenomeni absurd që po ndodhë brenda BDI-së, shkruan Zhurnal.
A po i shpërblen BDI me pozita figurat që kanë hedh gurë e dru ndaj kësaj partie?
Partitë politike, veçanërisht ato me histori të gjatë në pushtet përballen me dy sfida paralele ruajtjen e identitetit dhe zgjerimin e ndikimit. BDI, për vite me radhë ka zgjedhur modelin e dytë zgjerimin përmes koalicioneve, afrimeve dhe përfshirjes së figurave që nuk kanë qenë pjesë organike e strukturës së saj.
Në teori politike në fakt kjo njihet si pragmatizëm politik. Në praktikë, kur kjo bëhet pa filtra moralë dhe pa memorie politike, perceptohet si relativizim i vlerave. Problemi nuk qëndron te fakti që dikush largohet, kritikon dhe më pas rikthehet kjo është e zakonshme në politikë. Problemi lind kur kritikët më të ashpër shndërrohen në drejtues, sulmet e djeshme harrohen pa asnjë reflektim publik, ndërsa besnikëria afatgjatë mbetet pa vlerë politike.
Kjo krijon një mesazh të rrezikshëm opozita ndaj partisë shpërblehet më shumë se qëndrueshmëria brenda saj. Rikthimi i figurave që dikur e kanë denigruar publikisht BDI-në do të mund të justifikohej si “pajtim politik”, nëse do të shoqërohej me kërkim faljeje publike, distancim nga qëndrimet e mëparshme, dhe një proces normal integrimi.
Por kur ky rikthim ndodh drejtpërdrejt në poste drejtuese, pa asnjë etapë filtrimi, ai nuk duket si pajtim por si rehabilitim i privilegjuar. Kjo dëmton dy shtylla thelbësore të çdo organizate politike, moralin e brendshëm partiak dhe besimin në elektorat.
Pragmatizëm apo humbje e busullës?
BDI mund ta shohë këtë qasje si ruajtje të shtrirjes në nivel vendi, zgjerim të spektrit, menaxhim të realiteteve të reja politike. Por jashtë rrethit të ngushtë drejtues, kjo lexohet ndryshe si humbje e busullës morale dhe politike. Sepse kur partia bëhet stacioni i fundit për të gjithë ata që kanë dështuar diku tjetër, ajo rrezikon të mos jetë më shtëpi e bindjes por strehë e interesit.
“Të jesh apo të mos jesh” –
Ndaj këtij fenomeni tragjik në BDI nuk ka qëndruar i heshtur, Fatmir Izairi, figurë politike me peshë dhe ndikim elektoral. Përmes një reagimi në rrjetin e tij social e ka thënë troç që më mirë zgjedh të mos jetë.
“Tani në fund u arrit edhe kulmi! Në pozita udhëheqëse i kemi ata që nën ombrellën e një partie politike na përbaltën, na shanë në mënyrën më denigruese, dolën nga atje e u bënë pjesë e partive të tjera politike. Madje, formuan edhe parti të veten. Në fund kur humbën gjithçka, stacioni i fundit mbetet BDI-ja, e cila jo që i rehabiliton, por i gradon me poste dhe te njejtët tani na udhëheqin neve! Duke iu referuar pyetjes, të jesh apo të mos jesh? Unë zgjedh MOS të jem mëtutje pjesë e kësaj garniture!”, ka shkruar Izairi në rrjetin e tij social.
Kjo pakënaqësi duke që ka ardhur pas emërimit të Arjanit Hoxhes si nënkryetar i gjashtë i BDI-së. Ky i fundit ka qenë kritik i ashpër i BDI-së gjatë kohës që ka qenë pjesë e Lëvizjes Besa, me çka pati rastin të udhëheq edhe me Bujqësinë. Deri në momentin që ndau rrugët me Kasamin për ta themeluar në subjekt politik, PDE, parti e cila u mbyll sikurse të ishte shitore e lagjes. Dhe, krejt në fund përfundoi aty ku hidhte më shumë gurë e drurë, në BDI. /Zhurnal.mk

