Shkup, 6 maj, Zhurnal.mk – Vendimi i ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, që kujdestaritë e mësimdhënësve në korridore dhe oborre të bëhen të detyrueshme, hap debat mbi rolin e mësimdhënësit në sistemin arsimor.
Në thelb, masa synon rritjen e sigurisë në shkolla, por ajo prek një dimension më të thellë dinjitetin dhe autoritetin e figurës së mësimdhënësit. A është ky një hap drejt forcimit të rolit të tyre apo një rrezik për ta reduktuar në roje korridori? shkruan Zhurnal.mk
Mësimdhënësi si figurë e dyfishtë
Historikisht, mësimdhënësit kanë qenë jo vetëm bartës të dijes por edhe autoritete morale e shoqërore. Kujdestaritë në korridore dikur ishin pjesë e natyrshme e disiplinës, ku prania e mësimdhënësit shërbente si kujtesë e vazhdueshme për rregullat e sjelljes.
Megjithatë, sot konteksti është ndryshe, shkollat janë bërë hapësira më komplekse, ku siguria shpesh kërkon profesionalizëm teknik. Rikthimi i mësimdhënësve në rolin e “sigurimit” ngre dilema mbi kufijtë e përgjegjësisë së tyre.
Autoriteti dhe dinjiteti i mësimdhënësit
Ministrja Janevska argumenton se mësimdhënësit, duke qenë pjesë e procesit arsimor, kanë ndikim më të madh në sjelljen e nxënësve sesa rojet e sigurimit. Sipas ministrisë, prania e tyre në korridore mund të shërbejë si vazhdim i edukimit, duke i bërë nxënësit më të vetëdijshëm për normat e sjelljes dhe duke e lidhur disiplinën me procesin mësimor.
“Përgatitëm disa manuale dhe udhëzime që janë shpërndarë nëpër shkolla dhe komuna. Dje tashmë paralajmërova se do të jenë të detyrueshme kujdestaritë e mësimdhënësve në shkolla si në korridore, ashtu edhe në oborret e shkollave. Është fakt që kjo ekziston në disa shkolla, por në një numër të madh shkollash ende nuk ekziston”, tha ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vendosjes së gurthemelit për zgjerimin e shkollës fillore “Goce Dellçev” në Aerodrom.
Por, nga ana tjetër detyrimi i mësimdhënësve të patrullojnë korridoret e oborret mund të perceptohet si ulje e statusit profesional.
Në vend që të shihen si autoritete akademike, ata mund të reduktohen në rolin e “rojeve”, duke rrezikuar dinjitetin e figurës së tyre. Ky perceptim mund të dëmtojë respektin e nxënësve dhe prindërve ndaj mësimdhënësve, duke e dobësuar autoritetin që është i domosdoshëm për procesin edukativ.
Dimensioni social dhe politik
Ky vendim reflekton një dilemë më të gjerë se a duhet të investohet në sigurim profesional apo të ngarkohet mësimdhënësi me përgjegjësi shtesë? Nga aspekti ekonomik llogaritet përfitim pasi kursehen miliona denarë nga kontratat e sigurimit privat.
Politikisht, kjo mund të shihet si përpjekje për të rikthyer “autoritetin klasik” të mësimdhënësit, por rrezikon të interpretohet si mungesë investimi në siguri profesionale dhe si zhvendosje e barrës tek mësimdhënësit. E kjo mbase nga aspekti i zhvillimit teknologjik është masë që shkakton regres social, pasi brenda klasave punë me smart tabela e pastaj në oborr të shkollës roje dite është paksa komplekse.
Kujtojmë që, mësimdhënësit janë kyç për edukimin dhe sigurinë, por roli i tyre nuk duhet të ngatërrohet me funksionin e sigurimit fizik. Autoriteti i mësimdhënësit forcohet përmes respektit, profesionalizmit dhe mbështetjes institucionale jo përmes detyrimeve që e zhvendosin fokusin nga mësimdhënia te patrullimi i korridoreve. Nëse politika e re nuk shoqërohet me masa për të ruajtur dinjitetin e figurës së mësimdhënësit, rreziku i denigrimit është real. /Zhurnal.mk
