Qyteti i Shkupit: Është shpallur konkursi i parë për projekte kulturore-artistike për “Shkupi – Kryeqytet Evropian i Kulturës 2028”

nga D. V.

Shkup, 2 shkurt – Qyteti i Shkupit e shpalli konkursin e parë për projekte kulturore-artistike për “Shkupi – Kryeqytet Evropian i Kulturës 2028”. Projektet e përzgjedhura përmes këtij konkursi ndërkombëtar do të bëhen pjesë e programit zyrtar të “Shkupi 2028” dhe do të realizohen në gjithë qytetin dhe në të gjitha dhjetë komunat, si në hapësirat institucionale, ashtu edhe në lokacione publike.

“Shkupi 2028” nuk ndërtohet vetëm me vizion, por me punë, përkushtim të madh dhe besim. Pikërisht për këtë arsye, Qyteti i Shkupit shpalli thirrjen e parë publike për financimin e projekteve kulturore dhe artistike në kuadër të programit “Shkupi – Kryeqytet Evropian i Kulturës 2028”. Me hapjen e këtij konkursi, Shkupi hyn në një fazë të re ku idetë duhet të kthehen në projekte kulturore reale, të qëndrueshme dhe me rëndësi evropiane. Projekte që nuk do të ekzistojnë vetëm për një vit, por që do të lënë një vlerë të përhershme në qytet, në komunitete dhe në të gjithë ekosistemin kulturor,” thonë nga Qyteti i Shkupit.

Për këtë qëllim, siç theksojnë, kërkohen projekte me koncept të fortë dhe me një dimension të qartë evropian, me vlerë shoqërore dhe kulturore, realizim profesional dhe gatishmëri për të punuar në një proces kompleks dhe dinamik.

Fazën e parë të përzgjedhjes së projekteve të aplikuara do ta realizojë organi i pavarur “Shkupi 2028”, bazuar në kriteret formale dhe cilësore të përcaktuara në thirrjen publike.
 
Fazën e dytë të përzgjedhjes do ta realizojë Juria kryesore, e përbërë nga dy ekspertë vendas, drejtori artistik, si dhe dy ekspertë ndërkombëtarë nga Bashkimi Evropian, në përputhje me udhëzimet profesionale të marra pas konsultimeve me administratën në Bruksel.

“Kryeqytet Evropian i Kulturës nuk është një skenë për improvizim. Është një përgjegjësi e përbashkët ndaj Evropës, që të tregojmë se dimë të krijojmë, të menaxhojmë dhe të realizojmë programe kulturore të shkëlqyera. Nëse jeni një institucion kulturor, organizatë, artist, staf kreativ ose profesionist që beson në fuqinë e kulturës për të transformuar qytetet, ky është momenti juaj,” thuhet në kumtesën e Qytetit të Shkupit.
 
 Nga aty theksojnë se kjo është një nga disa thirrjet që do të shpallen në të ardhmen.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More