Dimitrieska-Koçoska: Ndihma shtetërore nuk duhet të jetë barrë për financat publike, por një investim në konkurrueshmërinë dhe rritjen e qëndrueshme

nga D. V.

Shkup, 17 shkurt – Çdo denar nga buxheti duhet të ketë arsyetim ekonomik dhe një qëllim zhvillimi. Politika jonë fiskale bazohet në konsolidimin fiskal dhe rritjen e përshpejtuar ekonomike. Këto qëllime nuk janë kontradiktore, por përkundrazi të ndërlidhura – tha sot Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.

Në fjalimin e saj në panel-diskutimin “Përforcimi i menaxhimit me ndihmën shtetërore në Ballkanin Perëndimor: transparencë, efektivitet dhe harmonizim me BE-në”, Dimitrioska-Koçoska vuri në dukje se disiplina fiskale do të thotë zvogëlimi i shpenzimeve joproduktive dhe orientimi i mjeteve aty ku ato do të krijojnë vlerën më të madhe të shtuar. Në këtë kuadër, shtoi, ndihma shtetërore është një instrument që duhet të hartohet me kujdes, të synohet dhe të vlerësohet vazhdimisht. 

“Ndihma shtetërore nuk duhet të jetë një barrë për financat publike, por një investim në konkurrueshmërinë dhe rritjen e qëndrueshme. Ajo mbulon fusha të ndryshme dhe një vëllim të konsiderueshëm të mjeteve. Sipas të dhënave nga Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, në vitin 2023 ndihma shtetërore arriti në 206 milionë euro ose pothuajse 1,5 për qind të PBB-së, ndërsa në vitin 2024 arriti në 235,2 milionë euro ose 1,52 për qind të PBB-së. Këto shuma theksojnë rëndësinë e këtij instrumenti, por edhe më shumë theksojnë nevojën për një nivel të lartë transparence dhe llogaridhënieje. Treguesit ekonomikë tregojnë se mbështetja e investimeve ka efekte pozitive në aktivitetin ekonomik”, theksoi ministrja.

Sipas saj, për pesë tremujorë radhazi kemi regjistruar norma rritjeje prej pothuajse mbi tre për qind, me një rritje që arriti në 3,8 përqind në tremujorin e tretë të vitit 2025. Investimet bruto në të njëjtën periudhë u rritën, siç theksoi ajo, për 30,6 për qind, kryesisht si rezultat i rritjes së aktivitetit të sektorit privat.

“Qeveria, përveç masave të ndihmës shtetërore, ka siguruar 250 milionë euro mjete të favorshme për të mbështetur projektet e investimeve të kompanive, si dhe 250 milionë euro shtesë për projekte kapitale në komuna, duke stimuluar kështu aktivitetin ekonomik dhe duke siguruar një zhvillim rajonal më të balancuar.

Paneli, i cili synon të nxjerrë në pah rëndësinë e ndihmës shtetërore, organizohet nga Instituti për Kërkime Ekonomike dhe Politika Finance Think, ndërsa në të marrin pjesë përfaqësues të komuniteteve akademike dhe të biznesit, përfaqësues të institucioneve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, kryetarë dhe anëtarë të komisioneve të mbrojtjes së konkurrencës, si dhe përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More