Bruksel, 23 mars, Zhurnal.mk – Amendamentet për raportin e Tomas Weitz për Maqedoninë në Parlamentin Evropian kanë ndezur sërish alarm në Sofje.
Agjencia bullgare BGNES publikoi një reagim më të gjatë ku vlerëson se kërkesa që Këshilli Evropian të sqarojë statusin juridik të protokollit të dytë të nënshkruar mes Bullgarisë dhe Maqedonisë është një përpjekje që Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat me BE-në pa përmbushur kushtin nga Korniza Negociuese – përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.
Me amendamentin 108, Weitz propozon që teksti i rezolutës së ardhshme të formulohet në atë mënyrë që Parlamenti Evropian “të kërkojë nga shërbimi juridik i Këshillit që urgjentisht të sqarojë të gjitha paqartësitë lidhur me statusin juridik të protokollit të dytë bilateral ndaj Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe miqësi mes dy vendeve, në lidhje me procesin e anëtarësimit”, transmeton zhurnal.mk.
Protokolli thekson qartë se konferenca e ardhshme ndërqeveritare, e cila përfundon fazën e hapjes së negociatave, do të mbahet vetëm pasi Maqedonia e Veriut të përfshijë bullgarët në Kushtetutën e saj. Sipas BGNES, qëllimi i këtij teksti është që të nisin negociatat pa i përmbushur Shkupi detyrimet e veta.
Agjencia shkruan se Weitz është plotësisht në linjë me politikat e autoriteteve maqedonase.
“Shqetësimi i Weitz për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është i lavdërueshëm, por formulime të tilla nuk kanë vend në një dokument, funksioni i vetëm i të cilit është të përcaktojë gatishmërinë e Shkupit për të qenë pjesë e shteteve demokratike evropiane.”
Në fund, agjencia u bën thirrje eurodeputetëve bullgarë të mos bëhen bashkëpjesëmarrës në përpjekjet e Shkupit për të mos përmbushur detyrimet ndërkombëtare “dhe për t’ia transferuar pasojat e paaftësisë së vet Sofjes”.
