Pjesa më e madhe ujit të pijshëm në Tetovë zhduket rrugës për në destinacionin e planifikuar

Nga Xh M
78 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 25 mars – Mbi 35 për qind e ujit për pije nga burimet e Sharrit, nuk arrin në destinacionin e duhur, përkatësisht humbet. Sipas autoriteteve humbjet ndodhin për shkak të keqpërdorimit të ujit në pjesën e poshtme të qytetit. Situata ka nxitur Ndërmarrjen komunale “Sharri”, që të kërkoj edhe studim fizibiliteti për zgjidhjen e problemit.

“Një pjesë e madhe e ujit bëhet sidomos në pjesët e lagjeve Drenoc e Dereboj ku bëhen vaditje të baçeve apo parqeve, që keqpërdorin ujin për këtë arsye. Nga ardhja ime unë kam insistuar madje edhe lavazhet mos e shfrytëzojnë ujin për pije për larje të veturave sepse paraqet keqpërdorim të madh të shfrytëzimit të ujit. Ka edhe shumë kyçje të egra që janë krijuar në lagjet e reja ku më shumë na humbet uji,” deklaroi Valon Zeqiri, Drejtor i NPK “Sharri”.

Si pasojë e kësaj humbjeje, komuna vendosi që amvisëritë të pajisen me orëmatës inteligjentë të ujit, me qëllim që të ketë kontroll mbi harxhimin dhe pagesën e ujit. Por kjo nismë hasi në reagime të shumta nga këshilltarët e opozitës, të cilët akuzuan për shitje apo privatizimi të ujësjellësit. Megjithatë kreu i komunës së Tetovës këmbëngul se nuk bëhet fjalë për shitje.

“Nga ekspertë të jashtëm del që mënyra më e mirë e zgjidhjes së këtij problemi është mundësia e partneritetit privat publik, që nuk nënkupton as shitjen e ujit as shitjen e menaxhimit me ujë të pijshëm, por kyçjen e partnerit privat për futjen e teknologjie të re dhe menaxhimin me gjithë sistemin që të marrim njohuri dhe ta zgjidhim këtë problem në mënyrë më të shpejtë dhe më të mirë,” tha Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës

Kasami thotë se miratimi i partneritetit publik-privat të ujësjellësit do varet nga këshilltarët dhe pëlqimi i tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër