Shkup, 2 mars, Zhurnal.mk – Botuesi i SHB Shkupi, Azam Dauti, ka bërë thirrje publike për pjesëmarrje masive në protestën e studentëve shqiptarë që do të mbahet më 6 prill në Shkup.
Protesta pritet të nisë në ora 12:30, me marshim nga Ura e Gurit, ndërsa sipas Dautit, kjo është një çështje që kërkon mobilizim të gjerë qytetar.
Në apelin e tij, Dauti thekson se Maqedonia e Veriut është “tokë dhe pronë e qytetarëve” dhe se, sipas tij, nuk duhet të lejohet që ajo të shndërrohet në instrument politik që dëmton interesat e shqiptarëve në fusha të ndryshme si arsimi, ekonomia, kultura dhe shëndetësia.
Ai e cilëson mbështetjen për protestën si detyrim moral dhe qytetar, duke vlerësuar se studentët po mbrojnë gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar. Po ashtu, ai kritikon heshtjen e faktorëve politikë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, duke e konsideruar atë si bashkëfajësi.
Dauti u bën thirrje qytetarëve, veçanërisht të rinjve dhe intelektualëve, që të marrin pjesë në protestë, duke theksuar se ky është moment për, siç shprehet ai, “vendosmëri, guxim dhe përgjegjësi”.
