Shkup, 7 prill, Zhurnal.mk – Deputetja Ilire Dauti nga Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, ka sqaruar arsyet pse sot bllokoi foltoren gjatë seancës së Komisionit për barazi gjinore, transmeton zhurnal.
Dauti shprehet se u gjend mes një situate të dhunës psikologjike dhe se madje u kërkua ndërhyrja e sigurimit pasi ajo kërkoi që materialet për strategjinë për parandalimin e dhunës të siguroheshin në gjuhën shqipe.
“Duhej të nderpritej seanca për shkak të mungesës së materialeve në gjuhën shqipe. Pyet veten pse duhet të ndodhë kjo në shtetin ku të gjitha obligimet i kemi të njëjta?! Por kjo tek unë as nuk ka kaluar, as nuk kalon”, tha deputetja.
Në shenjë proteste për mosrespektimin e gjuhës shqipe në dokumentet e Parlamentit, Dauti bllokoi foltoren e Komisionit, duke tërhequr vëmendjen mbi këtë problematikë të vazhdueshme në institucionet shtetërore.
