Tiranë, 15 prill Zhurnal.mk – Samiti IV i Diasporës, kulmoi mbrëmjen e djeshme me një organizim që ngjiti në skenën e Pallatit të Kongreseve, personalitete të shquara nga vendi dhe bota.
Një ndër momentet veçanta të samitit ishte ceremonia “Shqiponjat e Arta”, ku u vlerësuan personalitete të diasporës për kontributin e tyre të shquar në fusha të ndryshme. Çmimet u akorduan për arritje në biznes, shkencë, art dhe angazhim komunitar, duke theksuar rëndësinë e rolit të diasporës si ambasadore e Shqipërisë në botë.
Mes tyre, edhe ish-kryebashkiaku i New York-ut u ngjit me plis në skenë, për të mbajtur fjalimin e tij të rastit.
Kryeministri Edi Rama, përcolli sot në rrjetet sociale, një videokartolinë nga mbrëmja emocionuese e “Shqiponjave të Arta” të Diasporës Shqiptare.
Samiti IV i Diasporës konfirmoi edhe një herë se shqiptarët kudo që ndodhen mbeten të lidhur fort me rrënjët e tyre dhe të gatshëm për të kontribuar në zhvillimin e vendit. “Shqiponjat e Arta” nuk ishte vetëm një simbol vlerësimi, por edhe një mesazh bashkimi dhe krenarie kombëtare.
Ky aktivitet pritet të shërbejë si një pikënisje për projekte të reja bashkëpunimi dhe për forcimin e mëtejshëm të rolit të diasporës në të ardhmen e Shqipërisë.
Ditën e sotme, mbahen punimet e sesionit të fundit të edicionit të katërt të Samitit të Diasporës në Tiranë që bëri bashkë shqiptarë nga 38 vende të botës.
