Koçiu në QSUT: Të lënduarit nga zjarri në gjendje të mirë shëndetësore

Nga D. V.
223 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 15 prill Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu vizitoi mëngjesin e sotëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” personat e lënduar nga zjarri i pasdites së djeshme në Tiranë, për t’u njohur nga afër me gjendjen e tyre shëndetësore dhe ecurinë e trajtimit.

Sipas mjekëve, zjarrfikësit e lënduar paraqiten në gjendje të mirë dhe pritet të dalin nga spitali gjatë ditës së sotme.

Gjatë vizitës, Zëvendëskryeministrja Koçiu shprehu vlerësim dhe mirënjohje për ndërhyrjen e tyre të guximshme dhe profesionale, e cila mundësoi shpëtimin e jetëve dhe shmangien e pasojave të rënda për banorët e pallatit të përfshirë nga flakët.

Pasditen e të martës, një zjarr përfshiu një pallat në kompleksin “Arlis”, në rrugën e Dibrës, pranë “Farmacisë 10”. Zjarri përfshiu një pjesë të konsiderueshme të sipërfaqes së godinës. Për shuarjen e tij u angazhuan të gjitha forcat e emergjencës: zjarrfikësit, urgjenca mjekësore, si dhe strukturat e Policisë së Shtetit, që nga momenti i njoftimit të ngjarjes.

Sa i përket shkaqeve të zjarrit, policia bën të ditur se ka indicie dhe po grumbullon provat e nevojshme.

Flakët u neutralizuan në orët e mbrëmjes, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes. Nga zjarri u lënduan 11 persona në total, nga të cilët 6 janë shtruar në spital: 4 në Toksikologji, 1 në urgjencë dhe 1 në repartin e djegieve plastike. Ndërkohë, 5 persona të tjerë iu drejtuan repartit të djegieve plastike, nga të cilët 1 u shtrua dhe 4 u kthyen në banesë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër