100-vjetori i lindjes së mjeshtrit Tish Daija, kremtohet përmes një mbrëmje magjike në Teatrin e Operas

Nga Xh M
91 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Nga Albert Vataj

Tiranë, 19 prill Zhurnal.mk – Një mbrëmje e rrallë në përmasën e saj estetike dhe emocionale u shpalos mbrëmjen e djeshme në Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor, ku qindra artdashës u bënë pjesë e një përvoje që tejkaloi kufijtë e një koncerti të zakonshëm, për t’u shndërruar në një akt të vërtetë komunikimi shpirtëror mes skenës dhe publikut.

Programi u ndërtua me një finesë kuratoriale që ndërthuri identitetin muzikor shqiptar me pasionin dhe temperamentin iberik. Hapja me “Poemë për violinë” të Tish Daija, në 100-vjetorin e lindjes së tij, erdhi si një rikthim solemn në rrënjët tona muzikore, një homazh që mbartte jo vetëm kujtesë, por edhe një ndjesi vazhdimësie artistike. Interpretimi i solistit të orkestrës, Gëzim Bulçari, solli një ligjërim violinistik të ngrohtë dhe të ndjerë, ku çdo frazë tingëllore dukej se mbante një dialog intim me shpirtin e kompozitorit.

Kalimi drejt universes spanjolle me “La boda de Luis Alonso” të Gerónimo Giménez solli një transformim të menjëhershëm të atmosferës: ritme të gjalla, elegancë koreografike dhe një dritëzim orkestral që përshkoi sallën me gjallëri festive. Ishte një shpërthim ngjyrash dhe karakteresh, ku muzika u bë narrativë e gjallë.

Kulmi emocional i mbrëmjes u arrit me interpretimin e “Concierto de Aranjuez” të Joaquín Rodrigo, një nga veprat më të ndjera dhe më ikonike të repertorit botëror për kitarë. Virtuozi Rafael Aguirre solli një interpretim të thellë dhe të përmbajtur, ku çdo notë dukej e ngarkuar me një melankoli fisnike dhe një poezi të brendshme. Adagio-ja e kësaj vepre, me atë linjë melodike të paharrueshme, u përjetua në heshtje të plotë nga publiku, për t’u shpërblyer më pas me ovacione të gjata dhe të merituara.

Në vijim, Suita nr. 2 nga “El sombrero de tres picos” e Manuel de Falla solli një energji të re, ku ritmet andaluze dhe orkestrimi brilant krijuan një atmosferë të ngrohtë e plot dinamizëm. Ishte një festë e pastër e tingullit, ku çdo seksion i orkestrës dëshmoi kohezion dhe vitalitet interpretativ.
Finalja me “Capriccio espagnol, Op. 34” të Nikolai Rimsky-Korsakov ishte një shpërfaqje e plotë virtuoziteti orkestral, një demonstrim i mjeshtërisë së ansamblit në artikulim, ngjyrim dhe teknikë. Kjo vepër, me strukturën e saj të pasur dhe kërkesat e larta interpretative, u kthye në një triumf të orkestrës, duke e mbyllur mbrëmjen me një shkëlqim të denjë për një finale të madhe.

E gjithë kjo mbrëmje nuk ishte thjesht një renditje veprash, por një udhëtim i mirëkompozuar emocional dhe estetik, ku publiku u bë pjesë aktive e një përjetimi kolektiv. Duartrokitjet e pafundme nuk ishin vetëm mirënjohje, por dëshmi e një marrëdhënieje të gjallë dhe të pandërprerë mes artit dhe atyre që e përqafojnë atë. Në këtë tempull të artit, muzika foli me gjuhën e saj më të pastër, atë të shpirtit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër