Tiranë, 20 prill Zhurnal.mk – Punimet për rikualifikimin e shëtitores “Taulantia” në Durrës po vijojnë me ritme të shpejta, ndërsa përfundimi i projektit pritet brenda muajit qershor, në prag të sezonit turistik veror.
ATSH vëzhgoi nga afër kantierin, ku aktualisht ka nisur edhe montimi i strukturave hijezuese, të konceptuara nga studioja prestigjioze spanjolle Bofill Taller de Arquitectura. Ky element arkitektonik pritet t’i japë një identitet të ri hapësirës publike përgjatë vijës bregdetare.
Studioja e themeluar nga Ricardo Bofill njihet për projektet e saj me forma gjeometrike dhe stil modern-postmodern, duke integruar materiale si betoni dhe çeliku në mënyrë inovative. Ky koncept është reflektuar edhe në projektin e zbatuar në shëtitoren “Taulantia”.
Investimi përfshin krijimin e hapësirave të gjelbra, sistem të ri ndriçimi, kënde sportive dhe ambiente rekreative, duke synuar përmirësimin e cilësisë së jetesës për qytetarët dhe rritjen e atraktivitetit turistik të zonës.
Shëtitorja, një nga më të frekuentuarat në vijën bregdetare të qytetit, do të ofrojë gjithashtu korsi të dedikuara për këmbësorët dhe biçikletat, duke e bërë atë më funksionale dhe miqësore për vizitorët.
Durrësi vijon të jetë një nga destinacionet kryesore turistike në vend, me rritje të vazhdueshme të numrit të turistëve të huaj në vitet e fundit, si dhe me një fluks të konsiderueshëm vizitorësh që mbërrijnë përmes kroçerave nga vende të ndryshme të botës.
