SHBA-ja sekuestron një anije iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit, Teherani paralajmëron për hakmarrje

Nga D. V.
137 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 20 prill Zhurnal.mk – Forcat amerikane kanë ndaluar dhe marrë nën kontroll një anije mallrash me flamur iranian në Gjirin e Omanit, pasi ajo tentoi të thyejë një bllokadë detare pranë Ngushticës së Hormuzit, njoftoi dje në mbrëmje presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ndërsa Teherani paralajmëroi se do të reagojë “së shpejti”.

Sipas medieve shtetërore iraniane, komanda e lartë e përbashkët ushtarake e Iranit ka deklaruar se përgjigjja ndaj këtij veprimi është e afërt.

Në një postim në platformën “Truth Social”, Trump tha se anija, e identifikuar si “TOUSKA”, dhe kishte tentuar të anashkalonte bllokadën detare amerikane.

Sipas përshkrimit të tij, mjeti lundrues ishte rreth 274 metra të gjatë dhe me peshë të krahasueshme me një aeroplanmbajtëse.

Sipas presidentit amerikan, ekuipazhi nuk iu bind sinjaleve paralajmëruese, çka çoi në ndërhyrjen e destrojerit të marinës amerikane “USS Spruance”, i cili qëlloi drejt dhomës së motorit, duke e ndalur anijen.

“Anija është plotësisht nën kontrollin tonë dhe po verifikojmë ngarkesën në bord”, shkroi ai.

Komanda Qendrore e SHBA-së, deklaroi se anija ishte nisur drejt portit iranian “Bandar Abbas”.

Sipas saj, paralajmërimet ndaj ekuipazhit zgjatën mbi gjashtë orë, por nuk pati përgjigje.

Më pas, anija u neutralizua pasi ekuipazhi u urdhërua të largohej nga dhoma e motorit.

SHBA-ja ka vendosur kufizime për anijet që hyjnë ose dalin nga portet iraniane, ndërsa sipas CENTCOM, 25 anije tregtare janë urdhëruar tashmë të kthehen pas.

Trump shtoi se “TOUSKA” ndodhet në listën e sanksioneve amerikane për aktivitete të dyshuara të paligjshme, ndërsa autoritetet po hetojnë ngarkesën e saj.

Irani hedh dyshime mbi negociatat

Incidenti ndodhi vetëm pak orë pasi Trump njoftoi se negociatorët amerikanë do të udhëtonin drejt Islamabadit për një raund të ri bisedimesh me Iranin.

Megjithatë, media shtetërore iraniane raportoi se Teherani e kishte kundërshtuar një takim të dytë.

Agjencia IRNA theksoi se kërkesat e tepruara të SHBA-së, ndryshimet e vazhdueshme të qëndrimeve dhe bllokada detare nuk krijonin kushte për negociata serioze.

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian akuzoi SHBA-në për shkelje të marrëveshjes dhe veprime provokuese, duke i cilësuar masat si shkelje të qartë të armëpushimit.

Në një bisedë telefonike me kryeministrin pakistanez, Shehbaz Sharif, ai paralajmëroi se këto zhvillime po thellojnë mosbesimin dhe se Irani do të mbrojë vendin ndaj SHBA-së dhe Izraelit.

Burime nga Shtëpia e Bardhë bëjnë të ditur se delegacioni amerikan në Islamabad do të përfshijë zëvendëspresidentin JD Vance, të dërguarin special Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Tensionet mbeten të larta

Raundi i parë i bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit, i zhvilluar fundjavën e kaluar, përfundoi pa rezultate konkrete, duke shtuar pasigurinë mbi arritjen e një marrëveshjeje përpara përfundimit të afatit të armëpushimit aktual.

Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes mbetet rihapja e Ngushticës së Hormuzit, një korridor strategjik për tregtinë globale të naftës.

Pasi Irani njoftoi rihapjen e ngushticës, vendimi u tërhoq pasi SHBA-ja konfirmoi vazhdimin e bllokadës detare deri në arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

Trump përsëriti kërcënimet se ushtria amerikane mund të godasë infrastrukturën energjetike në Iran – nëse nuk arrihet një marrëveshje, duke rritur shqetësimet ndërkombëtare për pasojat dhe ligjshmërinë e mundshme të këtyre veprimeve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër