Diagnostikim me teknika të reja i anomalive te bebet në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”

Nga D. V.
153 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 20 prill Zhurnal.mk – Laboratori i Qendrës së Diagnozës Molekulare pranë Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” është një hap i ri në diagnostikimin mjekësor modern.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale njofton se përmes aplikimit të teknikës së studimit array të genomës, bëhet e mundur që të diagnostikohen një sërë anomalish te bebet.

Sipas MShMS-së, ambientet e reja, vizioni i ri dhe pajisjet e teknika bashkëkohore, shënojnë një tjetër hap drejt një sistemi shëndetësor modern, cilësor dhe gjithnjë më pranë qytetarëve.

Prof. Dr. Eliona Demaliaj, drejtoresha e SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë” u shpreh se kjo qendër e diagnozës molekulare është një teknologji e re, e studimit të genomës në mënyrë më të thellë nëpërmjet teknologjisë array.

“MSHMS nëpërmjet vizionit mbështetës dhe ndihmës financiare që vuri për këtë qendër bëri të mundur aplikimin e kësaj teknologjie”, u shpreh Demaliaj.

Prof. Dr. Merita Xhenomi, nënvizoi se “analiza kromozomale me micro array ka aftësinë të skanojë gjenomën dhe krahas anomalive të mundshme, ajo është në gjendje të identifikojë mikrodublikime përgjegjëse edhe për sindroma të rralla gjenetike”.

“Këtij laboratori i bashkëngjiten edhe ekzaminimet e avancuara gjenetike që janë kryer deri tani për identifikimin e anomalive kromozomike siç janë sindroma Down, Eduard, njëkohësisht edhe gjendjet monogjemike si talasemia, fibroza cistike, distrofia muskulare etj”, tha Xhenomi.

“Qendra genetike molekulare do të vijë gjithmonë e më shumë në ndihmë shumë patologjive, gjatë dhe pas shtatzënisë në çiftet infertile. Ne jemi krenarë me ekspertizën dhe jemi të bindur që gjithmonë e më shumë do të japim një shërbim më cilësor për gruan për nënën dhe për fëmijën”, tha Demaliaj.

Qendra e diagnostikës molekulare pranë Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, është qendër referimi në nivel kombëtar për kryerjen e testeve gjenetike dhe zhvillimet e reja laboratorike në këtë fushë.

Qendra është e përbërë nga katër hapësira pune, që i korrespondojnë proceseve të ndryshme që kryen në to. Çdo hapësirë ka emërtimin e vet dhe në ato dhoma duhen kryer vetëm proceset e parashikuara sipas protokollit.

Dhomat emërtohen si dhoma e ekstraktimit të ADN-së, ku vendosen kampionet biologjike për t’u ekstraktuar, dhoma e PCR, ku përgatiten reaksionet e PCR me të gjithë elementet përbërës përveç ADN-së, dhoma ku analizohen produktet e amplifikimit të ADN-së nëpërmjet elektroforezës në xhel agarozi, si edhe dhoma ku analizohen mutacionet e gjeneve në Sekuenciatorin e ADN-së.

Pjesë e laboratorit është dhoma e konsultave gjenetike ku ofrohet këshillimi gjenetik sipas rasteve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër