Ohër, 25 prill Zhurnal.mk – Në kuadër të projektit Safe City, këto ditë në Ohër dhe Strugë po instalohen gjithsej 40 kamera trafiku, me qëllim evidentimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.
Sipas informacioneve zyrtare, një pjesë e madhe e infrastrukturës tashmë është vendosur, ndërsa kamerat janë instaluar në disa pika kyçe, përfshirë rrethrrotullimet te OEMUC, te ish-“Banka e Ohrit” dhe në qendër të qytetit. Po ashtu, katër kamera janë vendosur përgjatë aksit rrugor Ohër–Kërçovë, pranë fshatrave Gorenci dhe Trebenishtë, si dhe në Botun dhe Novo Sello në Komunën e Debërcës.
Autoritetet bëjnë të ditur se sistemi pritet të vihet në funksion para fillimit të sezonit veror turistik. Aktualisht, ai ndodhet në fazën e testimit teknik dhe shkeljet ende nuk sanksionohen.
Qëllimi i projektit është ulja e numrit të aksidenteve dhe shkeljeve në komunikacion, veçanërisht gjatë periudhave me frekuencë të shtuar të lëvizjes. Sipas policisë, ndër shkeljet më të shpeshta që synohet të parandalohen janë tejkalimi i shpejtësisë, parakalimet e rrezikshme dhe parkimi i parregullt, sidomos në zonat turistike.
Projekti “Safe City” tashmë është në funksion në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, ku pas periudhës testuese që nisi më 1 dhjetor 2025, gjobat kanë filluar të aplikohen nga 1 shkurti 2026. Autoritetet kanë paralajmëruar se sistemi do të zgjerohet gradualisht edhe në qytete të tjera të vendit.
Nga SPB theksojnë se para aktivizimit të plotë, publiku do të informohet në kohë për lokacionet e kamerave, llojet e shkeljeve që do të sanksionohen, si dhe për masat për mbrojtjen e të dhënave personale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
