Tiranë, 27 prill Zhurnal.mk – Instituti i Statistikave (INSTAT) ka publikuar të dhënat për statistikat e krimeve dhe drejtësisë penale për vitin 2025, ku evidentohet një rritje e treguesve kryesorë krahasuar me një vit më parë.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 38 345 vepra penale, me një rritje prej 17,4% krahasuar me vitin 2024. Numri i autorëve të dyshuar ka arritur në 45 334 persona, duke shënuar një rritje prej 13,2%, ku 93,3% e tyre janë meshkuj dhe grupmosha më e përfaqësuar është ajo 30–44 vjeç.
Po ashtu, autorët pa përsëritje janë 39 027, me një rritje prej 16,7% krahasuar me një vit më parë.
Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 19 145 persona të dëmtuar, 7,8% më shumë se në vitin 2024. Nga këta, 39,3% lidhen me krime kundër personit, ndërsa femrat përbëjnë 36,7% të të dëmtuarve në këtë kategori, kryesisht në krime seksuale, kundër moralit dhe dinjitetit, si dhe kundër familjes.
Sipas INSTAT, numri i procedimeve penale të regjistruara ka arritur në 27 049, me një rritje prej 8,5%. Nga 24 491 procedime të përfunduara, 27,6% janë pushuar, 27,8% pezulluar dhe 42,5% janë dërguar për gjykim në gjykatë.
Në vitin 2025 janë regjistruar gjithashtu 14 356 persona të pandehur, 9% më shumë se një vit më parë, ku 94% e tyre janë meshkuj.
Ndërkohë, numri i të burgosurve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale është 4 503 persona, me një rritje të lehtë prej 0,3% krahasuar me vitin 2024.
