Tiranë, 27 prill Zhurnal.mk – Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u zhvillua sot seanca e radhës e gjyqit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Veliaj nuk ishte i pranishëm në seancë ku u përfaqësua nga avokati Plarent Ndreca. Ndreca kërkoi që seanca gjyqësore të transmetohej live, si domosdoshmëri për të siguruar transparencë ndaj publikut, kërkesë e cila u rrëzua nga GJKKO.
“Unë këmbëngul që për shkak të statusit të veçantë që ka i mbrojturi prej meje, është bazike që qytetarët e Tiranës të dëgjojnë çfarë ka prokuroria për kryetarin e bashkisë. I mbrojturi prej meje është zgjedhur nga 160 mijë qytetarë të Tiranës dhe është kryebashkiak, ndaj duhet të dëgjohet çdo gjë që ndodh në këtë seancë. Është e drejtë e të gjithëve për të dëgjuar se çfarë ndodh në këtë proces gjyqësor”, tha avokati Plarent Ndreca.
Nga ana e tij, prokurori i SPAK, Altin Dumani tha se akuza nuk ka asnjë problem për transmetimin e seancave live, por theksoi se dëshmitarët, sidomos bashkëpunëtorët e drejtësisë, nuk mund të ekspozohen.
Kjo sipas tij, nuk ndodh as në vendet e rajonit, BE-së apo në SHBA.
“Ne si organ akuze nuk kemi problem, por transmetimi live mund të shqetësojë procesin. Në çështjet penale ku ka dëshmitarë, veçanërisht bashkëpunëtorë të drejtësisë, nuk lejohet transmetimi live. Kjo nuk ndodh as në rajon, as në Evropë dhe as në gjykatat federale në SHBA. Mund të lejohen kamera për disa pamje filmike, por dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët nuk mund të ekspozohen”, iu përgjigj Dumani.
Ndërkohë, Ndreca deklaroi se në të paktën 35 fashikuj ndodhen prova digjitale (CD/USB), të cilat rezultojnë të pahapura dhe, për rrjedhojë, të paanalizuara dhe të pavlerësuara nga gjykata e seancës paraprake. Ai kërkoi që këto prova t’u vendosen në dispozicion.
Por, dy kërkesat e Ndrecës u panë nga ana e SPAK si përpjekje për të zvarritur procesin.
Dumani deklaroi se prej 2 muajsh, avokatët e Veliajt paraqesin kërkesa artificiale.
“Kemi dy muaj që kemi kaluar në themel dhe vijojmë me seancat paraprake. Avokatët e Veliajt, në mënyrë të përsëritur, paraqesin kërkesa artificiale, sipas vlerësimit tonë, me qëllim zgjatjen e shqyrtimit gjyqësor”, tha Dumani.
Nga ana e tij, Ndreca u shpreh se pala mbrojtëse nuk ka si qëllim zvarritjen e procesit.
“Ne nuk kemi qëllim të zvarrisim procesin. I vetmi që mbahet në burg është Erion Veliaj dhe ai ka interes që ky proces të ecë sa më shpejt. Ne nuk pranojmë të vijojmë pa u garantuar një proces i rregullt ligjor”, iu përgjigj Ndreca.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025. SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
