VLEN: Kush në BDI paguhet për të mbrojtur një projekt milionësh pa rezultat?

Nga B.M
960 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 maj, Zhurnal.mk – Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të fundit të BDI-së lidhur me projektin në MEPSO, duke e akuzuar këtë parti për, siç thotë, qëndrime kontradiktore dhe mbrojtje të një kontrate të dëmshme për shtetin.

Në një reagim publik, VLEN ngre pyetje se kush brenda BDI-së ka interes të mbrojë kompaninë “Energoinvest”, për të cilën pretendon se për vite me radhë nuk ka realizuar punime konkrete në terren, ndërsa projekti ka gjeneruar kosto të larta financiare.

Sipas VLEN-it, iniciativa për ndërprerjen e kontratës nuk është e re dhe ka ardhur pikërisht nga kuadro të BDI-së brenda MEPSO-s. Si shembull përmendet ish-ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji, i cili më vonë ka ushtruar funksionin e drejtorit të sektorit juridik në këtë institucion.

Në vijim, po botojmë reagimin e plotë të koalicionit VLEN

“Kush nga BDI sot ka interes dhe sa paguhet që të mbrojë një kompani boshnjake që me vite nuk ka ndërtuar asgjë dhe ka kushtuar miliona?

A është ky Ali Ahmeti, Bujar Osmani, apo të dy së bashku me rrethin e ngushtë të njerëzve, pronarë të kompanive nënkontraktore?
Sepse faktet nuk mund të fshihen më.

Ja edhe një tjetër kuadër i BDI-së, Bilen Saliji, ish ministër i Drejtësisë nga BDI i cili më vonë bëhet drejtor i sektorit juridik në MEPSO. Në atë kohë, njerëzit e BDI-së në MEPSO, po fillonin procedurën për ndërprerjen e kontratës me Energoinvest, sepse ata vetë konstatuan se marrëveshja ishte e dëmshme dhe jofunksionale.

Për më tepër, vendimi i Bordit të drejtorëve të datës 22.11.2023 tregon qartë se të gjithë anëtarët, përfshirë Bilen Salijin, vendosën unanimisht se kontraktori nuk i përmbush detyrimet e tij kontraktuale dhe se nuk ka përparim të konsiderueshëm në projektin, pas së cilës u iniciua një procedurë për ndërprerjen e kontratës.

Pra, të gjithë kuadrot e BDI-së në MEPSO që atëherë ishin pro ndërprerjes së kontratës.

Sot, lidershipi i BDI-së mbron të njëjtën marrëveshje. Pse?

Përgjigja është e qartë. Projekti pati një realizim prej mezi 4% në një periudhë prej katër vitesh. Marrëveshja kishte skaduar. Nuk kishte aktivitete në terren, por vetëm përpjekje për aneksime dhe kërkesa financiare shtesë. Shteti pagoi kamatë për vite me radhë, ndërsa projekti mbeti në vendnumëro.

Edhe sot BDI e mbron këtë. Jo sepse është në të drejtë. Por sepse dikush kishte interes që ajo të vazhdonte.

BDI nuk i mbron qytetarët. BDI mbron një sistem në të cilin projektet nuk u ndërtuan, por u përdorën për të pompuar para.

Paniku në BDI është evident. Sepse e vërteta po del në dritë. Sepse sistemi po ndryshon. Dhe sepse nuk ka më vend për marrëveshje që nuk zbatohen, ndërsa kushtojnë miliona.

BDI mund të sulmojë sa të dojë. Por faktet e demantojnë atë. Ata donin dhe iniciuan ndërprerjen. Sot ata mbrojnë të njëjtën marrëveshje. Në mënyrë hipokrite.

Ne po shfuqizojmë marrëveshjet e dëmshme. Po ndërtojmë. Po ndërtojmë lidhjen e parë elektroenergjitike me Shqipërinë.”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër