Ali Ahmeti bën homazhe për Luan Haradinaj në përvjetorin e rënies

Nga B.M
966 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Deçan/Gllogjan, 06 maj, Zhurnal.mk – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë sot në homazhet për nder të heroit të kombit, Luan Haradinaj, me rastin e përvjetorit të rënies së tij.

Homazhet u zhvilluan në Deçan dhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Zonës Operative të Dukagjinit në Gllogjan, ku Ahmeti, së bashku me bashkëluftëtarë dhe përfaqësues institucionalë, nderuan jetën dhe veprën e të rënëve për lirinë e Kosovës, përcjell zhurnal.mk.

Në fjalën e tij, Ahmeti theksoi se figura e Luan Haradinajt mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës për atdheun.

“Luan Haradinaj, së bashku me vëllezërit e tij dhe mijëra luftëtarë të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, mbetet simbol i guximit dhe përkushtimit për lirinë”, u shpreh ai.

Gjatë homazheve u nderua gjithashtu edhe veprimtari i hershëm i çështjes kombëtare, Smajl Haradinaj, për të cilin Ahmeti theksoi se ishte udhërrëfyes për brezat e luftëtarëve të UÇK-së.

Ahmeti theksoi se kujtimi për dëshmorët mbetet detyrim i përhershëm moral dhe kombëtar.

“Nderimi për dëshmorët është dhe do të mbetet obligim i përhershëm. Lavdi e përjetshme për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë”, përfundoi ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër