Groenlandë, 12 maj Zhurnal.mk – Shtetet e Bashkuara dhe Danimarka ndodhen në negociata për forcimin e pranisë ushtarake amerikane në Groenlandë, ndërsa në tryezë është vendosur plani për ngritjen e tre bazave të reja ushtarake në jug të ishullit, raporton BBC duke cituar burime zyrtare.
Sipas raportit, kontaktet mes Uashingtonit dhe Kopenhagenit janë intensifikuar muajt e fundit, pas deklaratave të Donald Trump, i cili kishte sugjeruar më herët se Groenlanda duhet të kalonte nën kontrollin e SHBA-së për të shmangur ndikimin rus dhe kinez në rajon.
Burime të përfshira në negociata bëjnë me dije se bazat e reja do të përdoren kryesisht për monitorimin e aktivitetit detar rus dhe kinez në zonën strategjike mes Groenlandës, Islandës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi se janë duke u zhvilluar bisedime të nivelit të lartë me Danimarkën dhe Groenlandën, pa dhënë detaje konkrete mbi përmbajtjen e tyre. Një zyrtar amerikan u shpreh se negociatat po ecin në “drejtim pozitiv”.
Edhe Ministria e Jashtme daneze konfirmoi ekzistencën e kontakteve diplomatike aktive me SHBA-në, ndërsa Kopenhageni ka shprehur gatishmëri për të diskutuar zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane në ishull.
Sipas të njëjtave burime, pala amerikane ka propozuar që bazat e reja të konsiderohen zyrtarisht territor sovran i SHBA-së, megjithëse ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare dhe numri i instalimeve mund të ndryshojë.
Një nga bazat e reja pritet të ndërtohet në Narsarsuaq, në një zonë ku më parë funksiononte një bazë ushtarake amerikane me aeroport të vogël. Analistët vlerësojnë se edhe instalimet e tjera mund të ndërtohen pranë porteve ose aeroporteve ekzistuese për të ulur kostot.
Burimet theksojnë se deri tani SHBA nuk ka ngritur zyrtarisht çështjen e marrjes nën kontroll të Groenlandës, një ide që është refuzuar publikisht si nga Danimarka ashtu edhe nga NATO.
Ndërkohë, kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, deklaroi se bisedimet me SHBA-në “kanë bërë hapa në drejtimin e duhur”, por theksoi se Groenlanda nuk do të pranojë asnjë cenim të sovranitetit të saj.
Aktualisht, SHBA operon në Groenlandë përmes bazës ajrore-hapësinore Pituffik, e përdorur për monitorimin e kërcënimeve raketore në kuadër të NORAD.
