Tiranë, 13 maj Zhurnal.mk – Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka falënderuar kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama, pas reagimit të këtij të fundit mbi marrëveshjen për migrantët.
Deklarata u shpërnda në mediet ndërkombëtare dhe u komentua gjerësisht pas një interviste të ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha, në një media të huaj.
Pas reagimeve, ministri reagoi duke theksuar se është keqkuptuar, ndërsa më pas ka ardhur reagimi nga kryeministri Rama, i cili theksoi se marrëveshja për qendrat e emigrantëve në Gjadër “do të mbetet në fuqi, për aq kohë sa Italia ta dëshirojë këtë”.
Në një postim në rrjetet sociale, Meloni ka ndarë shkrimin e Ramës, ndërsa shkruan: “Faleminderit Edi!”.
Rama u shpreh dje se protokolli i Shqipërisë me Italinë është këtu për të qëndruar, për aq kohë sa Italia ta dëshirojë.
“Të gjithë gazetarëve nga Italia dhe më gjerë, të cilët po kontaktojnë lidhur me një citim të shtrembëruar të raportuar nga një media pas një interviste me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë: Më lejoni ta ritheksoj, qartë dhe shpresoj njëherë e përgjithmonë, se Protokolli ynë me Italinë është këtu për të qëndruar, për aq kohë sa Italia ta dëshirojë”, shkroi dje Rama.
