Editorial / 1800 padi ndaj shtetit për punën shtesë e cila nuk u paguhet

Nga B.M
253 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 maj, Zhurnal.mk – Punojnë përtej orarit të rregullt për të shëruar qytetarët e vendit, por përfaqësuesit e shtetit të cilët thirren përditë në emër të votës që ua morën, pra i njëjti shtet, nuk ua paguan punën shtesë, apo disave vetëm pjesërisht ua paguan.

Kjo po u ndodhë të paktën 1800 punëtorëve shëndetësor në Maqedoni të Veriut. Prandaj të njëjtit i kanë paditur në gjykata pikërisht institucionet shtetërore për të cilat vendosin përfaqësuesit e shtetit, pra pikërisht ata që e morën votën dhe vendosin për funksionimin e këtyre institucioneve shtetërore, shkruan Zhurnal.mk.

Gjendja dhe paditë nëpër gjykata

Drejtori i sapozgjedhur i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski, thotë se deri në dhjetor 2025 ka mbi 1.800 të punësuar që janë në procese gjyqësore kundër institucioneve të tyre shëndetësore.

Ai madje thotë se numri i punëtorëve shëndetësor që nuk paguhen për punën përtej orarit të rregullt është edhe më i madh.

Sipas tij, nga 10 deri në 20 për qind e krejt numrit të të punësuarve në institucione shëndetësore kanë bërë padi dhe ndodhen në procese gjyqësore.

70% e padive, janë të përqendruara në 10 institucione dhe ato i përkasin kategorisë së spitaleve të përgjithshme shtetërore.

Sipas Klekovskit, 317 procese gjyqësore ka Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës, ndërsa efektin financiar më të madh do ta kishte Spitali Klinik i Manastirit.

Vlerësimi i përgjithshëm preliminar i efekteve të padive është mbi 2 milionë euro dhe ka gjasa të rritet me kalimin e kohës dhe me padi të reja.

Klekovski thotë se marrëveshja kolektive i veçon profesionet kirurgjike dhe internistike, ku ka dallime në shtesat, sidomos për kujdestaritë.

Por për të kryer punë të sukseshme të njëjtit janë të ndihmuar nga punëtorët përcjellës në të njëjtën punë, e puna e tyre nuk shpërblehet megjithatë, sipas përfaqësuesit të fondit të sigurimit shëndetësor.

Cila është zgjidhja?

Kjo situatë nuk ka ardhur vetëm si pasojë një krize financiare por duket që është problem zinxhiror.

Në këto raste duhet një strategji afatgjatë për rritjen e efikasitetit në spitalet e përgjithshme dhe shtëpitë e shëndetit, ku realizimi i buxhetit është nën 50%.

Zgjidhja e parë është krijimi i një sistemi transparent ku çdo orë shtesë të regjistrohet dhe të paguhet sipas ligjit.

Pa një mekanizëm të qartë dhe të monitoruar, punonjësit do të vazhdojnë të ndihen të diskriminuar dhe të detyruar të kërkojnë drejtësi në gjykata.

Pastaj, marrëveshja kolektive duhet të rishikohet në mënyrë që të mos krijojë pabarazi mes profesionistëve. Kirurgët, internistët, infermierët dhe personeli mbështetës duhet të kenë një sistem të drejtë shpërblimi që reflekton realisht punën e tyre.

Është e udhës që institucionet shëndetësore të adresojnë tepricën e mjekëve në disa fusha dhe mungesën e infermierëve. Pa një balancim të resurseve njerëzore, puna jashtë orarit do të mbetet e pashmangshme dhe e papaguar.

Pastaj, në vend që të shpenzohen miliona euro në procese gjyqësore, institucionet duhet të arrijnë marrëveshje direkte me punonjësit. Pse mos të bëhet kjo? Derisa punëtorët përballen me injorim dhe mos dëgjim të halleve të tyre natyrisht që dera e fundit i mbetet në gjykata për të kërkuar atë që meritojnë.

Taskat që u mbledhën qytetarëve duhet të përdoren për të siguruar përdorimin e tyre të dejtë, kudo, pra të përdoren drejt dhe punonjësit të shpërblehen siç duhet për secilën orë e minutë të punës së tyre. / Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër