25 vjet nga rënia e Fadil Nimanit, komandantit të Brigadës 113 “Ismet Jashari – Kumanova”

Nga B.M
382 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 maj, Zhurnal.mk – Sot shënohen 25 vjet nga rënia heroike e dëshmorit të kombit, Fadil Nimani, një prej figurave më të njohura të luftërave çlirimtare shqiptare në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

I njohur me nofkën “Komandant Tigri”, Fadil Nimani ishte nga fshati Gërgoc i Gjakovës dhe konsiderohet si një ndër komandantët më të respektuar të luftës shqiptare. Ai la gjurmë të pashlyeshme në organizimin dhe drejtimin e njësive çlirimtare, duke u bërë simbol i rezistencës dhe sakrificës për liri.

Si ushtar kombëtar, Tigri u dallua për aftësi të jashtëzakonshme organizative dhe komanduese. Bashkëluftëtarët dhe popullata shqiptare e kujtojnë atë si një komandant të guximshëm dhe të afërt me ushtarët, i cili ishte gjithmonë në vijën e parë të frontit. Emri i tij u bë legjendë në të gjitha zonat e luftës çlirimtare, si në Kosovë, Kosovën Lindore ashtu edhe në Maqedoni.

Gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare e emëroi komandant të Brigadës 113 “Ismet Jashari – Kumanova”, brigadë e cila vepronte në zonën e Likovës dhe Kumanovës.

Në këtë detyrë, Komandant Tigri udhëhoqi me përkushtim dhe përgjegjësi luftëtarët shqiptarë në betejat për të drejtat dhe barazinë e shqiptarëve në Maqedoni. Ai mbeti i njohur për disiplinën, strategjinë ushtarake dhe moralin e lartë që transmetonte te bashkëluftëtarët.

Më 25 maj 2001, Vaksincë u bë vendi ku Fadil Nimani ra heroikisht në fushën e nderit. Rënia e tij u konsiderua humbje e madhe për luftëtarët shqiptarë, por njëkohësisht emri i tij u kthye në simbol të qëndresës dhe sakrificës kombëtare.

Edhe pas 25 vitesh, figura e Komandant Tigrit vazhdon të nderohet nga shqiptarët në të gjitha trojet. Në përvjetorë të tillë, bashkëluftëtarë, familjarë dhe qytetarë kujtojnë jetën dhe veprën e tij, duke e vlerësuar si një nga figurat më të rëndësishme të luftës çlirimtare shqiptare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër