Monopatinat shkaktojnë 37 aksidente në Tetovë

Nga Xh M
366 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 25 maj Zhurnal.mk – Pa helmeta, me dy persona e madje edhe më shumë në një monopatinë, si dhe duke lëvizur në kahje të kundërt të bulevardit, kështu duken shpesh vozitësit e trotineteve elektrike nëpër rrugët e Tetovës.

Vozitësit e monopatinave elektrike nuk respektojnë pothuajse asnjë rregull të komunikacionit në qytetin e Tetovës.

Ata nuk vendosin as helmeta mbrojtëse dhe nuk respektojnë as vendet ku lejohet lëvizja e tyre, si korsitë e biçikletave apo trotuaret. Shpeshherë shihet se vozitësit e monopatinave elektrike rrezikojnë jo vetëm jetën e tyre, por edhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.

Nga SPB Tetovë thonë se gjatë vitit që lamë pas janë regjistruar 37 aksidente, ndërsa këtë vit deri më tani janë evidentuar 9 aksidente ku pjesëmarrëse kanë qenë trotinetet elektrike.

“Në rajonin që mbulon SPB-Tetova, janë regjistruar gjithsej 37 aksidente trafiku ku kanë qenë të përfshira në mënyrë direkte trotinetet elektrike. I njëjti trend është duke vazhduar edhe këtë vit, ku nga janari deri më tani janë evidentuar 9 aksidente trafiku. Vlen të theksohet fakti se rregullat nuk respektohen fare”.

Nga SPB Tetovë më tej rikujtojnë rregullat që duhet t’i respektojnë vozitësit e monopatinave elektrike.

“Ata janë të detyruar të lëvizin nëpër shtigjet e biçikletave, ndërsa në mungesë të shtigjeve të tilla janë të detyruar të lëvizin nëpër trotuare me shpejtësi deri në 6 kilometra në orë. Duhet të mbajnë pajisje të përcaktuara me rregullore, si helmeta mbrojtëse, mbrojtëse të bërrylave dhe gjunjëve. Gjatë natës duhet të mbajnë edhe jelek reflektues. Mosha minimale për drejtimin e trotunetit është 14 vjeç, ndërsa për personat nën këtë moshë do të përgjigjen prindërit e tyre, ku gjoba është 300 euro në kundërvlerë me denarë”.

Ajo që mbetet më shqetësuese është fakti se shumica e vozitësve të monopatinave elektrike në Tetovë janë nën moshën 14-vjeçare. Nga SPB Tetovë thonë se ata shpeshherë nuk ndalojnë as ndaj urdhrave të policisë, ndërsa punonjësit policorë, për arsye sigurie, nuk i ndjekin. Autoritetet apelojnë deri tek prindërit që të tregojnë kujdes dhe të mos lejojnë fëmijët të vozisin monopatina elektrike pa i plotësuar kushtet elementare të sigurisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër