Protesta e studentëve vazhdon sot në Tiranë, zgjidhja pritet të enjten!

Nga I.A
522 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 maj, Zhurnal.mk – Sot protestohet në Tiranë para ambasadës së Maqedonisë së Veriut në mbështetje të studentëve shqiptarë të cilët kërkojnë që provimet profesionale t’i japin në gjuhën shqipe. “Studentët janë një, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, është mesazhi me të cilin organizatorët ftojnë qytetarët të marrin pjesë në tubimin e nesërm në qendër të Tiranës. Kjo protestë në Shqipëri vjen e treta me radhë, pas dy protestave në RMV, më 6 prill dhe 18 maj. Por, kësaj radhe pushteti nuk qëndroj shurdhë memec duket që janë mobilizuar drejt gjetjes së një zgjidhjeje më afatgjate, shkruan Zhurnal.

“Shqiptaria është me Shkupin”

“Shqiptaria është me Shkupin” është slogani i protestës që pritet të zhvillohet sot, më 26 maj në Tiranë, në shenjë mbështetjeje për studentët shqiptar në Maqedoninë e Veriut, të cilët protestuan më 6 prill dhe 18 maj lidhur me gjuhën shqipe.

Protesta është planifikuar të fillojë në orën 17:00 në sheshin Skenderbej duke vazhduar drejt Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.

Ata bënë thirrje që sa më shume njerëz t’i bashkohen protestës.Gazetari dhe analisti nga Tirana, Mentor Kikia, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Në njoftimin e publikuar, Kikia u është drejtuar studentëve dhe qytetarëve shqiptarë nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Vlora, Korça dhe Gjirokastra, duke theksuar se solidariteti me studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut është një detyrim kombëtar dhe qytetar.

“Gjuha shqipe nuk negociohet”, thuhet në mesazhin e tij, ku nënvizohet se kërkesa e studentëve shqiptarë për të shkruar provimet në gjuhën e tyre amtare është një e drejtë themelore dhe jo çështje që mund të vihet në diskutim.

Fati i procesit të jurisprudencës dihet të enjten 

“Ditën e enjte do të duhet të sillet një draft final”, kështu tha zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali duke bërë të ditur se është formuar një grup punues që po merret me çështjen e provimit të jurisprudencës, por siç shtoi, do të shihet edhe nëse ky model i propozuar ka nevojë të dërgohet në Komisionin e Venecias ose jo.

E sa i përket çështjes se për sa të përfundojë ky proces, Sali tha se është irelevante nëse do të vonohet një muaj në Komisionin e Venecias ose menjëherë do të dërgohet për implementim, duke shtuar se nuk duhet nxituar pasi siç tha “zgjidhjet e shpejta na japin pasoja si mosharmonizim të ligjeve me ligjin e gjuhëve”. Gjitha këto Sali i tha një ditë para protestës së sotshme në Tiranë, për TV21. 

Nga ana tjetër, ditë më parë, edhe bashkëkryetari i VLEN-it, IzetMexhiti, për Euronews, tha se janë marrë vesh me kryeministrine vendit, Hristijan Mickoski, për gjuhën shqipe dhe çështja e provimit të jurisprudencës do të rregullohet për 3 muaj.

“Ashtu siç i kemi zgjidhur këto dikastere, do të vazhdojmë me provimin e jurisprudencës që është kërkesë e studentëve, por jo vetëm te jurisprudenca, ne kemi rënë dakord që ligji i gjuhëve të zbatohet edhe në fusha tjera ku ka të bëjë me provime profesionale apo me licenca që duhet të merren. Nuk kemi kërkuar jemi marrë vesh, jemi dakorduar, është deklaratë e përbashkët e kryeministrit dhe dy partnerëve qeverisës VMRO dhe VLEN. Le të jetë një afat tre mujor sepse ka procedurë duhet të bëhet propozim ndryshim të ligjit, duhet të kaloi në Qeveri duhet të kaloi në Parlament”, deklaroi Mexhiti.

Kontekst mbi ngjarjen 

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut pas protestës së 6 prillit, më 18 maj protestuan për herë të dytë në Shkup. Për shkak të moszbatimit të drejtës kushtetuese për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore, veçanërisht në provimin e jurisprudencës. Ata e konsiderojnë këtë si diskriminim institucional, pasi ligji për përdorimin e gjuhëve garanton shqipen si gjuhë zyrtare, por në praktikë ajo nuk zbatohet. Kjo situatë i vendos studentët shqiptarë në një pozitë të pafavorshme krahasuar me kolegët e tyre maqedonas.

Studentët nga Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore kanë marshuar drejt Ministrisë së Drejtësisë në dy protestat. Ata kanë mbajtur pankarta me mesazhe si “Respekto Kushtetutën” dhe “Ndal diskriminimit institucional”, duke kërkuar që provimet të ofrohen edhe në gjuhën shqipe. Një peticion me qindra nënshkrime është dorëzuar për të mbështetur këtë kërkesë.

Kjo lëvizje ka marrë mbështetje edhe nga institucione akademike në Shqipëri, si Universiteti i Tiranës, si dhe nga organizata të shoqërisë civile, në Kosovë e Shqipëri. Përtej një kërkese praktike për provime, studentët e shohin protestën si një betejë për barazi, dinjitet dhe respektim të të drejtave gjuhësore në një shtet shumëgjuhësh. Në këtë kuptim, protesta e tyre është pjesë e një debati më të gjerë mbi integrimin, barazinë dhe funksionimin e demokracisë në Maqedoninë e Veriut. 

Kujtojmë që, sipas paraqitjeve të fundit të studentëve thanë se e nisën për jurisprudencën por kanë hasur edhe probleme tjera të shumta. Mbetet të shihet ditëve në vijim nëse zgjidhja do të jetë në përputhje me kërkesat e studentëve. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër