Ohër, 26 maj, Zhurnal.mk – Kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski e shfrytëzoi vizitën zyrtare të homologut të tij kroat Andrej Plenković për të dërguar mesazhin më të fuqishëm dhe më kategorik drejt Sofjes dhe Brukselit, transmeton Zhurnal.mk.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mickoski shpalli prerazi fundin e poshtërimeve dhe lëshimeve identitare për Maqedoninë e Veriut.
Ai theksoi se Qeveria e tij është e gatshme të paguajë çfarëdo çmimi, por nuk do të lejojë shkelje të mëtejshme të përcaktimeve kombëtare.
“Për fat të keq, për sa kohë që mosmarrëveshjet bilaterale dhe i ashtuquajturi bullizëm ndaj nesh nga disa shtete anëtare, respektivisht në këtë rast nga një shtet anëtar, janë pengesë për t’u bërë pjesë e asaj familjeje, atë që e kemi merituar prej kohësh fatkeqësisht do të vazhdojë të largohet. Por ne nuk humbim shpresën dhe energjinë, përkundrazi do të vazhdojmë të punojmë fuqishëm dhe presim ta marrim atë shans për t’u bërë pjesë e asaj familjeje. Nuk ka më mundësi për lëshime identitare, nuk ka më hapa prapa kur bëhet fjalë për përcaktimet tona kombëtare. Çfarëdo qoftë çmimi që duhet të paguajmë, kjo Qeveri është e gatshme ta paguajë”, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se Maqedonia aktualisht renditet ndër vendet më të suksesshme të rajonit sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian dhe se pjesa më e madhe e mjeteve të dedikuara për vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të përfundojnë në buxhetin maqedonas.
Sipas tij, vendi e ka merituar prej kohësh anëtarësimin në BE, por procesi është vështirësuar edhe më shumë nga qeveria paraprake përmes pranimit të kërkesave që, siç tha ai, nuk kanë qenë në interes të shtetit.
Mickoski bëri të ditur gjithashtu se Plani i Veprimit për Pakicat është përgatitur dhe se pritet drita jeshile nga Brukseli për të hyrë në procedurë zyrtare qeveritare.
