Ndryshimet në ligjin për Gardën e Republikës, reformohen gradat dhe emërimet e krerëve drejtues

Nga Xh M
334 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 27 maj Zhurnal.mk – Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar së fundmi ligjin e ri nr. 46/2026, i cili sjell ndryshime dhe shtesa të rëndësishme në funksionimin, strukturën e gradave dhe kriteret e emërimit të drejtuesve të lartë të Gardës së Republikës. Ligji i ri, i cili vjen si propozim i një deputeti, synonte të reformojë skemën e karrierës së brendshme dhe të hapë rrugën për pranimin e specialistëve nga strukturat e tjera të sigurisë.

Ky ligj është shpallur zyrtarisht me dekretin nr. 316, datë 15.5.2026, nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Rregullat e reja për emërimin e Drejtorit dhe Zëvendësdrejtorit

Një nga pikat më kryesore të këtij ligji prek mënyrën se si përzgjidhet kreu i Gardës dhe zëvendësi i tij, duke saktësuar gradat që duhet të mbajnë kandidatët përpara se të marrin detyrën.

“Drejtori i përgjithshëm i Gardës së Republikës emërohet nga Kryeministri me propozim të ministrit dhe i jepet grada “Drejtues madhor”. Ai përzgjidhet nga radhët e punonjësve të Gardës që mbajnë gradën “Drejtues i Parë/Drejtues i Lartë.”,”, përcaktohet në pikën 1 të nenit 2.

Ndryshime ka pësuar edhe emërimi i Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm. Sipas rregullave të reja, në momentin e emërimit ai do të marrë automatikisht gradën “Drejtues i Lartë”, por ligji specifikon se kjo gradë është e lidhur ngushtë me funksionin. Nëse zëvendësdrejtori transferohet në një detyrë tjetër, ai rimerr gradën e tij të mëparshme “Drejtues i Parë”.

Hapen dyert për punonjësit nga fushat e tjera të sigurisë

Ligji i ri sjell një risi të rëndësishme që lidhet me rekrutimin. Garda e Republikës tashmë do të mund të plotësojë nevojat e saj organike duke pranuar edhe punonjës që vijnë nga strukturat e tjera të sigurisë (si Policia e Shtetit apo institucione të ngjashme), nën kritere të qarta moshe dhe konkurrimi.

“Për plotësimin e nevojat e identifikuara për rekrutimin e punonjësve me gradën “Inspektor” deri “Komisar” mund të pranohen në Gardën e Republikës edhe punonjës nga fushat e tjera të sigurisë dhe të jenë deri në moshën 40 vjeç,”, thuhet në tekstin e ligjit.

Ky kalim mes strukturave do të realizohet duke u njohur plotësisht vjetërsia në shërbim, ndërsa Këshilli i Ministrave është ngarkuar që brenda tre muajve të miratojë skemën e ekuivalentimit të gradave midis institucioneve.

Kohëzgjatja e gradave dhe rregullat e largimit nga detyra

Neni 9 i ligjit reformon kohëzgjatjen që i duhet një punonjësi të shërbejë në një gradë për të fituar të drejtën e gradimit të mëtejshëm. Për gradat nga “nënkomisar” deri në “drejtues i parë”, koha e qëndrimit është caktuar fiks në 5 vjet për secilën fushë. Gjithashtu, janë specifikuar qartë kushtet e pezullimit, ku përfshihet marrja e njoftimeve nga organet ligjzbatuese për cenim dinjiteti apo nisja e hetimeve disiplinore për shkelje të rënda.

Ligji i ri ka detajuar në mënyrë taksative edhe rastet e ndërprerjes definitive të marrëdhënieve të punës, duke i ndarë ato në “lirim” (për shkaqe si mosha e pensionit, paaftësia mjekësore, shkurtimet organike apo performanca e dobët) dhe në “përjashtim”.

Sipas nenit 8, një punonjës përjashtohet menjëherë nëse:

Dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për një vepër penale.

Shkel betimin ose cenon rëndë integritetin e institucionit.

Nuk paraqitet në detyrë pa shkaqe të justifikuara për më shumë se 7 ditë pune rresht.

Ka konsumuar të gjitha masat e tjera disiplinore të parashikuara.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër