Jankullovski i përgjigjet Bytyqit: Qeveria po siguron stabilitet dhe rritje, Ju dyfishuat borxhin

Nga D. V.
471 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 maj, Zhurnal.mk – Zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, i është përgjigjur ashpër deputetit të LSDM-së, Fatmir Bytyqi, duke akuzuar pushtetin e kaluar për dyfishim të borxhit publik dhe rritje të dobët ekonomike, ndërsa Qeveria aktuale, siç tha ai, po siguron stabilitet dhe përparim ekonomik.

Jankullovski theksoi se Qeveria kishte qenë e gatshme për debat në Komisionin për Financim dhe Buxhet, por sipas tij, opozita e kishte bojkotuar seancën.

“Javën e kaluar ministrja ishte këtu dhe ishte e gatshme të merrte pjesë në seancë, por si kryetare e Bordit Drejtues të CEF-it kishte edhe obligim që seriozisht të përgatitej për ngjarjen që më 22 korrik do të mbahet në Shkup. Në vend të debatit konstruktiv, ju zgjodhët bojkotin e Komisionit”, tha Jankullovski.

Ai theksoi se huamarrja prej 260 milionë eurosh është në kuadër të parashikimeve të Buxhetit për vitin 2026 dhe se procedura për sigurimin e mjeteve ka qenë plotësisht transparente.

“U dorëzuan tetë oferta, prej të cilave u zgjodh më e favorshmja – me kushtet më të mira dhe parametrat më relevantë të tregut në atë moment”, deklaroi zëvendësministri.

Jankullovski kujtoi se vitin e kaluar ishte shlyer euroobligacioni prej 500 milionë eurosh, ndërsa këtë vit arrin për pagesë një euroobligacion prej 700 milionë eurosh, nga i cili, siç tha ai, gjysma tashmë është servisuar.

Sipas tij, Qeveria ka trashëguar obligime prej rreth 9 miliardë eurosh në bazë të kryegjësë dhe kamatave, të cilat duhet të servisohen në periudhën nga viti 2026 deri në vitin 2031.

“Në vitin 2017 borxhi publik ishte 4.78 miliardë euro, ndërsa deri në tremujorin e dytë të vitit 2024 arriti në 8.87 miliardë euro – pothuajse dyfishim në periudhën kur ju ishit pjesë e pushtetit”, i tha Jankullovski Bytyqit.

Ai shtoi se Qeveria aktuale siguron rritje mesatare ekonomike prej rreth 3.5 për qind në gjashtë tremujorët e fundit, që sipas tij është dëshmi se ekonomia po lëviz në drejtim pozitiv.

“Në dallim nga qeverisja juaj, e jona tregoi rritje ekonomike mbi 3.5 për qind në gjashtë tremujorët e fundit, ndërsa ju nga viti 2017 deri në tremujorin e katërt të vitit 2024 dyfishuat borxhin publik, ndërsa qytetarëve u ofruat rritje ekonomike minimale prej 1.9 për qind”, theksoi zëvendësministri.

Jankullovski nënvizoi se një pjesë e mjeteve të siguruara po orientohen drejt projekteve në komuna dhe mbështetjes së ekonomisë, duke vlerësuar se Qeveria ka qasje të kujdesshme dhe të përgjegjshme në menaxhimin e financave publike.

“Ka ardhur koha të gjeni një temë tjetër për të qenë interesant në ekranet televizive”, i porositi Jankullovski deputetit të LSDM-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër