Gjorgjievski i befasuar nga vendimi për autobusët e rinj: Shpresoj që procedura e tretë të jetë e suksesshme!

Nga Xh M
422 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 maj Zhurnal.mk – Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, në emisionin Click Plus në TV21 deklaroi se është befasuar nga vendimi për anulimin e procedurës për furnizimin me autobusë të rinj, duke shtuar se shpreson që procedura e tretë të jetë e suksesshme.

Gjorgjievski theksoi se i gjithë procesi nuk udhëhiqet nga Qyteti i Shkupit, por nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve përmes Qeverisë.

“Sinqerisht, edhe për mua ishte befasuese. Gjatë gjithë periudhës së kaluar, kur kam folur për këtë temë, kam qenë shumë i saktë. Për afatet mund të garantoj për të gjitha projektet që i udhëheq unë dhe për të gjitha procedurat që i zhvillon Qyteti i Shkupit. Por, kjo ishte një procedurë që nuk e udhëhiqte Qyteti i Shkupit”, deklaroi Gjorgjievski për TV21.

Ai sqaroi se, sipas informacioneve që ka marrë nga ministri, Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa për Furnizime Publike ka vendosur që procedura të ndërpritet, përkatësisht të anulohet, gjë që do ta vonojë procesin për 30 deri në 50 ditë shtesë.

“Shpresoj që procedura e tretë të jetë e suksesshme, por nuk mund të garantoj afate dhe as të jap informacione të sakta, sepse nuk kam detaje. Ministri duhet ta informojë më hollësisht opinionin”, tha ai.

Gjorgjievski theksoi se Qyteti i Shkupit nuk i furnizon autobusët, por do të jetë përdoruesi përfundimtar i tyre.

“Këta autobusë i furnizon Ministria e Transportit dhe Lidhjeve përmes Qeverisë. E gjithë organizimi dhe procedura e tenderit udhëhiqet nga Ministria. Ne do të jemi përdoruesit përfundimtarë të 100 autobusëve për Shkupin, ndërsa edhe 50 autobusë të tjerë do të shpërndahen në qytetet e tjera të vendit”, deklaroi kryetari i qytetit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër