Shkup, 28 maj Zhurnal.mk – Violinisti shqiptar me famë botërore, Shkëlzen Doli, ka dhuruar një mbrëmje të jashtëzakonshme artistike në Shkup, duke elektrizuar publikun me performancën e tij në Filarmoninë e Maqedonisë së Veriut, në kuadër të festivalit “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare”.
Nën tingujt e violinës së një prej emrave më të njohur shqiptarë në skenat ndërkombëtare, salla e Filarmonisë u shndërrua në një hapësirë emocionesh, arti dhe krenarie kombëtare. Interpretimi brilant i Dolit u prit me duartrokitje të gjata nga publiku i pranishëm, duke dëshmuar edhe një herë madhështinë e artistit shqiptar që prej vitesh shkëlqen në arenën botërore.
Mbrëmja artistike solli në kryeqytet frymën e kulturës shqiptare dhe dëshmoi se Shkupi vazhdon të mbetet qendër ku promovohen vlerat autentike artistike dhe emrat që përfaqësojnë denjësisht shqiptarët në skenat më prestigjioze ndërkombëtare ku të pranishëm ishin edhe kreu i Çairit Izet Mexhiti, zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali, drejtori i Filharmonisë Mustafa Imeri si dhe shumë personalitete të njohura të shoqërisë që kanë ndjekur nga afër performancën e tij.
Shkëlzen Doli, i cili njihet si koncertmaestër i Filarmonisë së Vjenës dhe një ndër violinistët më të vlerësuar shqiptarë, me interpretimin e tij solli jo vetëm muzikë të klasit të lartë, por edhe emocion e krenari për publikun shqiptar.
Prania e tij në Shkup u konsiderua një ngjarje e veçantë kulturore, duke konfirmuar edhe një herë fuqinë e artit shqiptar për të bashkuar publikun dhe për të ngritur imazhin kulturor shqiptar në rajon dhe më gjerë.
