VLEN: BDI-ja kishte vite për ta zgjidhur provimin e jurisprudencës në shqip, por nuk e bëri

Nga R.ZH
441 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 maj, Zhurnal.mk – Koalicioni VLEN ka reaguar ndaj kritikave të BDI-së lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke akuzuar partinë opozitare se për vite me radhë ka pasur mundësi institucionale për ta zgjidhur këtë problem, por nuk ka treguar vullnet politik.

Nga VLEN thonë se Ministria e Drejtësisë për një periudhë të gjatë është udhëhequr nga kuadro të BDI-së, duke përmendur ish-ministrat Blerim Bexheti dhe Adnan Jashari, të cilët sipas tyre kanë pasur mandat, kompetenca dhe mundësi për ta mundësuar dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

“Provimi i jurisprudencës nuk zgjidhet me britma e me rrena. Zgjidhet me punë. E punën ata e kishin në dorë për vite me radhë, por nuk e bënë”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Koalicioni gjithashtu rikthen në vëmendje rastin e djalit të ish-kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, duke pretenduar se ai është pajisur me provimin e jurisprudencës edhe pse ende nuk kishte diplomuar, ndërsa studentët shqiptarë, sipas tyre, kanë mbetur pa mundësinë për ta dhënë këtë provim në gjuhën amtare.

Sipas VLEN-it, BDI-ja ka favorizuar individë të afërt me strukturat e saj, ndërsa ka neglizhuar zgjidhjen e problemeve të qytetarëve shqiptarë.

Nga ky koalicion kërkojnë që ish-ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, të japë përgjigje se përse gjatë mandatit të tij nuk është zgjidhur çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

“Studentët kanë hall. BDI ka hesape”, thuhet në reagim.

VLEN thekson se aktualisht është duke punuar për një zgjidhje të qëndrueshme të kësaj çështjeje dhe se, përveç provimit të jurisprudencës, synon që edhe provimet e tjera profesionale të mund të jepen në gjuhën shqipe.

“Shqiptarët nuk duan më zhurmë. Duan zgjidhje, e zgjidhja po vjen”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër