Zhupa: Zvërneci simbol i rrezikut që kërcënon çdo zonë të mbrojtur, Kuvendi të shfuqizojë ligjin e 2024-ës

Nga D. V.
572 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 01 qershor, Zhurnal.mk – Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, njëherësh kryetare e komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, tha sot se Zvërneci është “simboli i një rreziku që kërcënon çdo zonë të mbrojtur në Shqipëri”.

Sipas saj, fadromat që afrohen drejt natyrës nuk janë rastësi, por pasojë e drejtpërdrejtë e Ligjit 21/2024, ligjit që hapi rrugën për ndërtime dhe ndërhyrje në territore që duhej të ruheshin për brezat e ardhshëm dhe janë pasuri kombëtare.

Deputetja thekson se zgjidhja është konkrete dhe se Kuvendi të votojë propozimin e saj për shfuqizimin e Ligjit 21/2024.

“Me shfuqizimin e tij, mbyllet rruga ligjore për grabitjen e pasurive tona natyrore dhe largohen fadromat nga Zvërneci dhe nga çdo zonë tjetër e mbrojtur”, theksoi Zhupa.

Zhupa shtoi se që në fillim të vitit 2024 ka paralajmëruar pasojat e ndryshimeve ligjore që, sipas saj, u bënë për të shkatërruar zonat e mbrojtura.

“Pikërisht për këtë arsye Bashkimi Europian sot kërkon shfuqizimin e këtij ligji. Unë kam zhvilluar 72 deklarata publike, 4 tryeza ekspertësh në të gjithë Shqipërinë, kam marrë pjesë në 3 seanca në Gjykatën Kushtetuese, kam bërë 2 interpelanca parlamentare dhe kam mbajtur qindra fjalime e prononcime për të mbrojtur natyrën dhe interesin publik”, u shpreh deputetja demokrate.

“Keni në tavolinë një propozim ligjor që mund ta mbyllë përfundimisht derën për çdo grabitqar të pasurisë publike. Tani është momenti që secili të zgjedhë se në cilën anë qëndron: me natyrën, me interesin publik dhe me të ardhmen e Shqipërisë, apo me ata që kërkojnë të përfitojnë në kurriz të saj”, tha Zhupa.

Deputetja shtoi se “të rinjtë do ta kuptojnë se kjo nuk është thjesht një betejë për Zvërnecin, por për Shqipërinë që duam t’u lëmë fëmijëve tanë. Është detyrimi ynë ta mbrojmë dhe t’ua dorëzojmë brezave që vijnë më të bukur dhe të shëndetshme sesa e gjetëm”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër