Rekomandimet e qeverisë për SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme, Gogu: Prioritet evazioni fiskal, krimi kibernetik dhe kriminaliteti rrugor

Nga D. V.
586 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 02 qershor, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi sot rekomandimet për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2026 para Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela dhe drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodian Braho si dhe drejtuesve të prokurorive të rretheve.

Gogu theksoi se rekomandimet janë të strukturuara në tetë fusha kryesore, sikurse janë në piketat përmbyllëse të Bashkimit Evropian, të kapitujve 23-24.

“Rekomandimet janë të strukturuara në 8 fusha, ashtu si dhe piketat përmbyllëse të kapitujve 23-24, pra sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, lufta kundër kriminalitetit, integrimi dhe transparenca, eficiensa dhe kapacitetet institucionale, metodat bashkëkohore të hetimit, bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Ky sinkronizim nuk është rastësi, është zgjedhje e ndërgjegjshme metodologjike”, tha Gogu.

Gogu theksoi se analiza e zbatimit të rekomandimeve të vitit 2025 ka shërbyer si bazë për hartimin e metodologjisë së vitit 2026.

Sipas tij, rekomandimet e vitit 2026 synojnë adresimin e hapësirave për përmirësim.

“Kam parasysh këtu hetimet e nisura kryesisht në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm. Mbeten ende nën potencialin që kanë zyrat e prokurorisë, hetimet financiare paralele kanë nevojë për intensifikim dhe konfiskimet përfundimtare kanë nevojë për vëmendje të shtuar”, tha ai.

Për vitin 2026, ministri theksoi se janë përcaktuar tre shtresa të karakterit strukturor, teksa shtoi se janë “fusha ku evoluimi i kriminalitetit dhe kërkesat e integrimit takohen”.

E para, sipas Gogut, është evazioni fiskal si prioritet penal.

“Evazioni fiskal për të gjithë neve besoj se nuk është thjesht një çështje tatimore, besoj se është një shtyllë e rendit ekonomik të vendit dhe konkurrencës së ndershme. Kur biznesi i ligjshëm paguan tatimet dhe ai paligjshëm jo tregu deformohet, shteti rëndohet financiarisht dhe dëmtohet. Në pozicionin negociues të BE-së theksohet qartë se informaliteti i lartë ekonomik dhe dobësitë e zbatimit ligjor kufizojnë funksionin efektiv të ekonomisë së tregut. Rekomandimet e vitit 2026 e trajtojnë evazionin fiskal si prioritet penal, mbrojtje të interesit financiar të shtetit dhe garantim të konkurrencës së ndershme. Kjo do të kërkonte edhe intensifikimin e hetimeve nga prokuroritë, hetimet proaktive dhe bashkëpunim ndërinstitucional të strukturuar”, tha ai.

E dyta, shtoi Gogu është krimi kibernetik dhe format e reja të kriminalitetit.

“Juve jeni dëshmitar sepse jeni luftëtarët e ballit të luftës ku keni dëshmuar se kriminaliteti ka evoluar me shpejtësi të pazakontë. Pastrimi i parave bëhet me kriptovaluta, mashtrimi bëhet online, infrastrukturat publike sulmohen digjitalisht, grupet kriminale përdorin teknika gjithnjë më të sofistikuara komunikimi dhe pastrimi duke vepruar njëkohësisht në shumë juridiksione. Në rekomandimet e vitit 2026 kërkojmë ngritjen e njësive të specializuara brenda prokurorisë, investime teknologjike dhe trajnime të vazhdueshme”, tha ai.

E treta, sipas ministrit është kriminaliteti rrugor.

“Drejtimi në gjendje të dehur nën ndikimin e narkotikëve, pa leje drejtimi janë vepra me ndikim të drejtpërdrejtë tek siguria publike dhe tek jeta e qytetarëve të cilën fatkeqësisht e kemi dëshmua në javët e fundit që kemi kaluar. Ndaj në rekomandimet e 2026 nevojitet të trajtohet me fokus të shtuar. Intensifikim të hetimeve dhe ndjekjes penale, rritje të cilësisë hetimore, por mbi të gjitha dhe forcim të bashkëpunimit me Policinë e Shtetit”, përfundoi Gogu.

Sa i përket rezultateve të viti 2025, Gogu tha se analiza e zbatimit të rekomandimeve të vitit të kaluar konfirmon tendenca pozitive.

“SPAK nisi kryesisht 37% të procedimeve të reja, rritje prej 19.8% krahasuar me 2024; çështjet e prapambetura për 2020–2021 u reduktuan me 78%, përpara afatit të planifikuar; vlera e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara arriti rreth 33 milionë euro. Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dërguan 182 procedime korrupsioni për gjykim, rritje prej 15.92%”, tha Gogu.

Ministri theksoi ndarjen e qartë të mandateve. Sipas tij, Ministria e Drejtësisë harton politikën penale dhe metodologjinë e vlerësimit; prokuroria zbaton mandatin kushtetues me pavarësi të plotë procedurale.

“Rekomandimet nuk janë direktiva, janë orientim i politikës penale të shtetit, i miratuar nga Këshilli i Ministrave”, tha ai.

Gjithashtu Gogu theksoi se do të formalizohet një protokoll për mbledhjen periodike të të dhënave ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër