Reforma Territoriale, kryebashkiakët e qarkut Dibër kërkojnë më shumë kompetenca dhe mbështetje financiare

Nga D. V.
746 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 03 qershor, Zhurnal.mk – Shtimi i kompetencave si dhe rishikimi i formulës së shpërndarjes së taksës minerare ishin ndër kërkesat e paraqitura nga kryetarët e bashkive të qarkut Dibër, në seancën dëgjimore me komisionin e posaçëm parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.

Para anëtarëve të komisionit, kryetari i bashkisë Dibër, Rrahim Spahiu u ndal te sfidat me të cilat përballet bashkia, ndërsa kujtoi se Dibra është qarku i tretë më i madh në vend sa i përket shtrirjes territoriale.

Shqetësim kryesor, sipas tij, mbeten kompetencat që ka bashkia, e cila shtrihet po ashtu në një terren malor, gjë që krijon vështirësi në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Spahiu u ndal tek investimet në infrastrukturë, të cilat sipas tij kanë afruar edhe zonat më periferike të territorit me qendrën e bashkisë.

“Nëse në vitin 2014 në Lurë shkoje për 4 orë, sot shkohet për 40 minuta. Pra, jemi në një situatë tjetër me investimet që janë bërë në këtë bashki. Kjo bën që shërbimet të shkojnë në zonën më të largët të bashkisë. Sot në Lurë shkon makina e pastrimit”, shtoi ai.

Por, sipas Spahiut, bashkitë kanë nevojë për më shumë kompetenca edhe për sa i përket administrimit të zonave të mbrojtura.

Lidhur me Kadastrën, Spahiu kërkoi që të kalojë te bashkia, pasi kjo do të ndikojë edhe te rritja e të ardhurave për bashkinë.

“Bashkitë kanë nevojë për më shumë financa, kjo nuk diskutohet, por 4 vitet e fundit financat kanë ardhur në rritje”, shtoi ai.

Edhe kryetarja e bashkisë Klos, Valbona Kola theksoi rëndësinë e shtimit të kompetencave të bashkisë.

Sipas saj, bashkia e Klosit është një bashki në zhvillim falë Rrugës së Arbrit dhe kërkesat janë të mëdha për ndërtime dhe për zhvillimin e bujtinave dhe agroturizmit.

“Rruga e Arbrit i jep një tjetër orientim rishikimit të planit vendor dhe zhvillimi do t’i japë ‘oksigjen’ bashkisë Klos për sa i përket investimeve”, tha ajo.

Kola kërkoi po ashtu rritjen e financimeve, pasi sipas saj, reforma territoriale e viti 2014 solli shumë shërbime në bashki. “Përveç shërbimit zjarrfikës që ka buxhet të mjaftueshëm, funksionet e tjera nuk përballohen nga transferta e kushtëzuar”, shtoi ajo.

Duke u ndalur te renta minerare, Kola u shpreh se për bashkinë Klos ajo sjell vetëm me 1,6 milionë lekë të ardhura.

“Kjo sepse taksa shkon për bashkinë që e shet dhe jo për atë që e prodhon. Duhet të shikohet baza ligjore që të përllogaritet në burim taksa dhe Klosit t’i shkojë taksa që duhet. Nëse dikur ka qenë 25% sot është një vlerë e papërfillshme”, shtoi ajo.

Ndërsa kryetarja e bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri nënvizoi se pas vitit 2014 janë shtuar investimet në infrastrukturë.

“Sfida jonë është shpërndarja e madhe e territorit ndaj është rritur numri i punonjësve sepse ka shërbime më shumë. Kemi forcuar kapacitetet që t’i ofrohet shërbimi të gjithë qytetarëve. Ne kemi 63 fshatra dhe asnjë fshat nuk është i braktisur”, tha Mjeshtri.

Sipas saj, Bulqiza është qytet industrial dhe 20-25%, rreth 400 milionë lekë, e të ardhurave nga renta minerare i kalon buxhetit të bashkisë.

Kryetari i bashkisë Mat, Altin Bojni theksoi se falë investimeve në ujësjellës, qyteti i Burrelit ka ujë 24 orë.

Ai kërkoi rritje të transfertës së kushtëzuar për të bërë më shumë investime në territorin e bashkisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër