Tiranë, 3 qershor Zhurnal.mk – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur të pafajshëm deputetin e PS-së, Erion Braçe, pas padisë për shpifje të ngritur nga biznesmeni Anduel Çekrezi. Vendimi u mor këtë të martë nga gjyqtarja Flojera Davidhi, pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Çekrezi, i cili kishte kërkuar deklarimin fajtor të deputetit për veprën penale të “shpifjes”, të kryer botërisht.
Padia lidhej me deklaratat publike dhe postimet në rrjetet sociale të Braçes mbi një konflikt pronësie në zonën e Imshtës, në Lushnjë. Sipas pretendimeve të biznesmenit, deputeti kishte shpifur kur deklaroi se Çekrezi kishte zaptuar tokat e banorëve pranë lumit Seman për ndërtimin e një parku fotovoltaik, ndërsa sipas tij toka ishte blerë në mënyrë të ligjshme. Gjatë procesit gjyqësor, Braçe ka mbrojtur qëndrimin e tij, duke kërkuar hetim të plotë mbi procedurat e privatizimit të tokave pranë lumenjve dhe liqeneve, të cilat sipas tij janë pasuri shtetërore. Deputeti argumentoi se deklaratat e tij mbështeteshin në legjislacionin në fuqi dhe në interesin publik.
Në vendimin e saj, GJKKO thekson se pas shqyrtimit të çështjes vendosi: “Deklarimin e pafajshëm të të akuzuarit Erion Braçe për kryerjen e veprës penale të ‘Shpifjes’, e kryer botërisht, parashikuar nga neni 120, paragrafi i dytë i Kodit Penal.” Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet gjyqësore të mbeten siç janë bërë. Sipas vendimit, palët kanë të drejtë të ankimojnë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.
