Portieri i Prishtinës, Altin Gjokaj, është ftuar nga Franco Foda në Kombëtaren A të Kosovës pas shqetësimit fizik të Arijanet Muriçit dhe pamundësisë së Faton Malokut për t’iu bashkuar ekipit.
Prishtina ka bërë të ditur se gardiani i saj, Altin Gjokaj, është ftuar në Kombëtaren A të Kosovës për pjesën e mbetur të grumbullimit të Dardanëve. Vendimi vjen pasi Arijanet Muriç ndjeu shqetësime gjatë stërvitjes së fundit, ndërsa Faton Maloku nuk ka mundur t’i bashkohet ekipit kombëtar.
Gjokaj vjen në këtë grumbullim pas paraqitjeve të mira me Kosovën U21 dhe me fanellën e Prishtinës. Ai ishte titullar në miqësoren ndaj Turqisë U21, ndërsa ftesa nga përzgjedhësi Franco Foda konsiderohet si një shpërblim për punën, përkushtimin dhe formën e treguar së fundmi nga portieri i talentuar.
Postimi i Prishtinës
Portieri i ekipit tonë, Altin Gjokaj, ka marrë ftesë për t’iu bashkuar Kombëtares A të Kosovës për pjesën e mbetur të këtij grumbullimi.
Për shkak të shqetësimeve të ndiera gjatë stërvitjes së djeshme, është vendosur që Arijanet Muriç të mos ngarkohet më tej, ndërsa në mungesë të mundësisë që Faton Maloku t’i bashkohet ekipit, përzgjedhësi Franco Foda ka vendosur të ftojë gardianin tonë, Altin Gjokaj.
Gjokaj ishte titullar mbrëmë në ndeshjen miqësore të Kosovës U21 ndaj Turqisë U21, duke vazhduar paraqitjet e mira me fanellën dardane.
Ftesa për t’iu bashkuar Kombëtares A përfaqëson një moment shumë pozitiv dhe të rëndësishëm në karrierën e portierit të ekipit tonë, si shpërblim për punën, përkushtimin dhe formën e treguar së fundmi.
