Samiti BE-Ballkani Perëndimor, liderët kërkojnë përshpejtim të integrimit dhe reforma në rajon

Nga Xh M
966 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tivat, 5 qershor Zhurnal.mk – Liderët evropianë dhe ata të rajonit janë mbledhur në Samitin BE- Ballkani Perëndimor, ku Shqipëria përfaqësohet nga kryeministri, Edi Rama.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaruan se procesi i zgjerimit për Ballkanin Perëndimor duhet të mbetet i bazuar tek meritat.

“Zgjerimi bazohet në meritë, por të qenit i bazuar në meritë nuk do të thotë të jetë i ngadalshëm. Ne duhet ta bëjmë procesin e zgjerimit më të shpejtë dhe më të besueshëm dhe procesi i zgjerimit duhet të jetë më i dukshëm. Zgjerimi do të thotë më shumë siguri, më shumë prosperitet dhe një rol më të madh të Evropës në botë.”, tha Von der Leyen

“Mesazhi im për Ballkanin Perëndimor është i qartë. BE-ja është e përkushtuar ndaj zgjerimit. Tani është koha për të shfrytëzuar momentin dhe për të zbatuar reformat”, tha Costa.

Pak përpara nisjes së samitit një mesazh përcolli edhe kryeministri, Edi Rama, i cili deklaroi se Bashkimi Evropian duhet të gjejë guximin për të pranuar anëtarë të rinj drejt anëtarësimit të tyre të plotë.

“Nëse Evropa dëshiron t’i dërgojë një mesazh të fortë botës dhe t’i japë energji vetes, duhet të thotë se ashtu siç jemi sot të gjithë rreth të njëjtës tryezë, duhet të jemi gjithmonë aty secili me statusin e vet derisa të bëhemi anëtarë me të drejta të plota.”, theksoi Rama.

Takimi vjen në një moment kur Brukseli po e sheh zgjerimin si përgjigje ndaj sfidave gjeopolitike dhe ndikimit në rritje të Rusisë dhe Kinës në rajon.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se vendet kandidate pritet të mbështesin një nisëm të re franko- gjermane që synon t’i japë ritëm procesit të anëtarësimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër