Prishtinë, 08 qershor, Zhurnal.mk – Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli-Dalipi, ka bërë të ditur se po vazhdon aksioni për largimin e mbeturinave në fshatin Gushac të Deçanit, në kuadër të përpjekjeve për eliminimin e deponive ilegale.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo ka theksuar se institucionet nuk do të ndalen deri në largimin e të gjitha deponive të paligjshme.
“Largimi i mbeturinave po vazhdon në Gushac të Deçanit. Nuk do të ndalemi deri në largimin e të gjitha deponive ilegale”, ka shkruar Pacolli-Dalipi.
Sipas saj, deri më tani nga kjo zonë janë larguar rreth 1,500 ton mbeturina.
“Deri tani janë larguar rreth 1500 ton mbeturina”, ka bërë të ditur ministrja në detyrë.
Ajo nuk ka dhënë detaje shtesë lidhur me afatet e përfundimit të aksionit apo sasinë e përgjithshme të mbeturinave që mbeten për t’u larguar nga zona.
