Davkova nga Sofja: Duhet ta ringjallim frymën e bashkëpunimit rajonal

Nga I.A
1,341 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 qershor, Zhurnal.mk – Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, nga Samiti i Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (PBEJL) në Sofje, bëri thirrje për ringjalljen e frymës së bashkëpunimit rajonal dhe rikthimin te parimet mbi të cilat ky proces u themelua para tre dekadash.

Në fjalimin e saj, ajo paralajmëroi se Evropa Juglindore po përballet me sfida serioze, si emigrimi masiv i të rinjve, plakja e popullsisë, prapambetja ekonomike dhe përkeqësimi i rrethanave gjeopolitike. Sipas saj, këto probleme kërkojnë udhëheqje të guximshme dhe të përgjegjshme, të bazuar në solidaritet dhe interesa të përbashkëta, e jo në politika të ngushta e të pjesshme.

Siljanovska-Davkova theksoi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të mbështetet në mënyrë konsekuente mbi kriteret e Kopenhagës, ndërsa dinamika e anëtarësimit të varet ekskluzivisht nga përparimi në zbatimin e reformave.

Duke iu referuar mendimit të shkrimtarit bullgar Georgi Gospodinov se “kur dyert e së ardhmes mbyllen, e kaluara bëhet atdheu i vetëm”, presidentja tha se Ballkani ka nevojë për debalkanizim përmes evropeizimit.

Ajo vlerësoi se integrimi evropian është jo vetëm natyral, por edhe domosdoshmëri gjeopolitike dhe e sigurisë, duke nënvizuar se një Ballkan i qëndrueshëm, prosperues dhe evropian është në interes si të vendeve të rajonit, ashtu edhe të vetë Evropës.

“Suksesi i çdo shteti duhet të shihet si sukses i të gjithë rajonit. Në vend të bllokadave dhe ndarjeve, duhet të garojmë në dije, inovacion, kulturë dhe zhvillim ekonomik”, theksoi Siljanovska-Davkova, duke bërë thirrje për më shumë përgjegjësi rajonale si parakusht për një të ardhme të përbashkët të parashikueshme dhe të sigurt. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër