Bekim Sali: Integrimi evropian është zgjedhja jonë strategjike, IPA mbetet një instrument kyç për përshpejtimin e reformave

Nga D. V.
868 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 qershor, Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, sot hapi mbledhjen e katërt të Komitetit të Përbashkët Monitorues për IPA III, e organizuar në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në fjalën e tij hyrëse, ministri Sali theksoi se Instrumenti për Ndihmë Para-Anëtarësuese (IPA) vazhdon të jetë një nga mekanizmat më të rëndësishëm për mbështetjen e reformave, modernizimin e institucioneve dhe përgatitjen e vendit për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.

“Integrimi evropian është zgjedhja jonë strategjike dhe vizioni ynë për të ardhmen. Reformat që po zbatojmë nuk janë vetëm pjesë e procesit të anëtarësimit, por investim në institucione më të forta, ekonomi më konkurruese dhe një jetë më cilësore për qytetarët tanë”, deklaroi Sali.
Ai vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian dhe theksoi se në kushtet e momentit të ri politik për zgjerimin e BE-së, vendi duhet të vazhdojë me rezultate konkrete dhe reforma të qëndrueshme.

Gjatë takimit u diskutua për progresin në zbatimin e programeve IPA II dhe IPA III, sfidat e hasura gjatë realizimit të projekteve, si dhe prioritetet për periudhën e ardhshme. Vëmendje e veçantë iu kushtua programeve në fushën e transportit, mjedisit jetësor, kapitalit njerëzor dhe zhvillimit ekonomik. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër