Shkup, 15 qershor, Zhurnal.mk – Komisioni parlamentar për Sistem Politik vazhdoi shqyrtimin e Propozim-ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili synon të zëvendësojë mekanizmin e Balancuesit, të shfuqizuar më parë nga Gjykata Kushtetuese.
Eksperti dhe profesori universitar, Jeton Shasivari, i cili ishte pjesë e grupit punues për hartimin e ligjit, e vlerësoi këtë akt juridik si një dokument me rëndësi të veçantë kushtetuese dhe institucionale.
“Ligji nuk është vetëm një ligj, por është një vulë përfundimtare dhe operative e pikës 4.2 të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe amendamentit 6 të Kushtetutës”, deklaroi Shasivari para deputetëve.
Sipas tij, ligji përcakton mekanizma për respektimin, afirmimin, monitorimin dhe promovimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në të gjitha nivelet e institucioneve shtetërore dhe publike.
“Ky ligj është rojtar i rendit kushtetues, sepse nuk ia lë barazinë rastësisë apo vullnetit të mirë”, theksoi ai.
Shasivari veçoi si risi kryesore përkufizimet ligjore që, sipas tij, për herë të parë sqarojnë qartë konceptet e përfaqësimit adekuat dhe atij të drejtë.
Ai shpjegoi se përfaqësimi adekuat bazohet në të dhënat zyrtare të regjistrimit të fundit të popullsisë dhe synon të pasqyrojë përbërjen demografike të vendit.
“Përfaqësimi adekuat pasqyron përafërsisht popullsinë, bazuar në regjistrimin e fundit si referencë. Pra, ligji përdor të dhëna, jo hamendje”, tha ai.
Sa i përket përfaqësimit të drejtë, Shasivari theksoi se ai garanton trajtim dhe mundësi të barabarta, duke respektuar kriteret e kompetencës dhe integritetit profesional.
“Ligji e lidh në mënyrë të qartë përfaqësimin etnik me sistemin e meritës, duke mos sakrifikuar cilësinë për sasinë”, u shpreh ai.
Duke folur për Balancuesin, mekanizëm i cili u përdor për vite me radhë në punësimet në sektorin publik, Shasivari argumentoi se ai ishte bërë i papërshtatshëm si nga aspekti evropian ashtu edhe nga ai kushtetues.
“Balancuesi si një vegël digjitale, tashmë antievropiane për shkak se u kritikua në raportin e Komisionit Evropian për vitin 2023 dhe antikushtetuese për shkak se u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese në tetor të vitit 2024, shpesh ishte abuzuar dhe ishte një vegël e gabuar matematikore e ish-qeverisë”, deklaroi Shasivari.
Diskutimi për Propozim-ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat pritet të vazhdojë në Komisionin për Sistem Politik, para se ai të procedohet për shqyrtim dhe miratim në seancë plenare.
