Shkup, 16 qershor, Zhurnal.mk – Me një numër dukshëm më të vogël parregullsish dhe organizim më të mirë krahasuar me vitet e kaluara, provimi i sivjetshëm i maturës shtetërore kaloi në atmosferë të qetë dhe të kontrolluar, vlerësoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve, ajo theksoi se pjesa më e madhe e maturantëve iu qasën provimeve me përgjegjësi dhe pa tentativa për abuzim, ndërsa organizimi u realizua në nivel të lartë.
“Mund të krenohemi që këtë vit matura shtetërore kaloi në rend dhe qetësi të plotë, e organizuar ashtu siç duhet, kryesisht në hapësira të mëdha, ku nxënësit nuk kishin mundësi të përdornin veprime të paligjshme”, tha Janevska.
Sipas saj, numri i nxënësve të përjashtuar nga provimi për shkak të kopjimit është dukshëm i ulët krahasuar me vitet e mëparshme.
“Nga dy afatet e provimit janë përjashtuar rreth gjashtëdhjetë nxënës, gjë që tregon se ka përparim të shkëlqyer në realizimin e maturës”, theksoi ministrja.
Ajo sqaroi se bëhet fjalë për nxënës të kapur duke kopjuar, të cilët menjëherë janë përjashtuar nga procesi i provimit.
Janevska informoi se këta nxënës do të kenë mundësi të riprovojnë në afatin e ardhshëm të provimit në muajin gusht.
Duke u ndalur te risitë e këtij viti, ministrja theksoi se është futur një qasje e re me dy lloje të maturës shtetërore, të përshtatura me planet dhe programet e ndryshme mësimore, me ç’rast, siç tha ajo, është kapërcyer pabarazia e deritanishme mes nxënësve. /Zhurnal.mk
