“Mos më paralajmëro fare”/ Debat në sallën e gjyqit mes Metës dhe gjykatës, Kllapi: LSI pagoi 93 mijë dollarë nga 416 mijë për lobimin

Nga D. V.
694 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 18 qershor, Zhurnal.mk – Debate mes ish-presidentit Ilir Meta dhe gjykatës, si dhe deklaratat e prokurorit të SPAK, kanë shoqëruar seancën e gjykimit në themel ndaj ish-presidentit.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, e cila po ndjek procesin, ka zbardhur diskutimet në sallën e gjyqit, ku prokurori Sotir Kllapi ka paraqitur të dhëna për kontratat e lobimit në SHBA dhe episode të tjera të hetimit.

Sipas Kllapit, kontrata e lobimit të LSI-së me kompaninë GSIS është raportuar në sistemin amerikan FARA. Prokurori deklaroi se nga shuma totale prej 416 mijë dollarësh, LSI kishte paguar përmes tre faturave vetëm 93 mijë dollarë.

“Në SHBA raportohen kontratat e lobimit në faqen FARA. Aty raportohet edhe kontrata e lobimit me GSIS, ku ka rezultuar se nga tërësia e shumës prej 416 mijë dollarësh nga LSI ishin paguar, me tre fatura, vetëm 93 mijë dollarë. Nga ana e kompanisë është raportuar se, në kohë të ndryshme, e ka pritur z. Meta për takimet që do të zhvillonte. Kompania ka vënë në dispozicion të gjitha faturat. Marrëveshja ishte firmosur nga Petrit Vasili.

Kemi dërguar letërporosi dhe kemi kërkuar një pjesë të llogarive të Ardian Shatkut dhe nga aktet e ardhura ka rezultuar që, në nënkuadër të marrëveshjes me GSIS, i ka faturuar LSI-së 18 fatura. Nga tërësia e dokumentacionit bankar rezulton që tre fatura ishin paguar nga llogaritë e LSI-së, të tjerat deri te fatura numër 12 janë paguar nga Ardian Shatku dhe kompanitë e tij. Për tre nuk dimë asgjë.

Zoti Meta ka qenë disa herë në SHBA, ndonëse ka pasur vizita zyrtare në SHBA që kanë qenë jashtë axhendës. Dhe këto takime janë raportuar si shërbime nga GSIS. Duke qenë se ai gjatë hetimeve ka thënë: “Ç’punë kam unë me pagesat e Shakut”, ne themi që ai ka vazhduar të marrë shërbime dhe, në këto rrethana, mendojmë që është fshehur origjina e shumave monetare që janë pastrim. Ofrimi, siç e ka bërë GSIS shërbimin, është i ligjshëm; mënyra e pagesës është e paligjshme.”, deklaroi prokurori Sotir Kllapi.

Pjesë nga diskutimet në sallë:

Meta: Kam një pyetje.

Gjykata: Do vazhdoni kur të mbarojë prokurori. Mbani shënim.

Meta: Një fjali mund ta them, mos e ndërprit gjykatën. Rregullat kërkojnë të mbarojë prokurori. Kjo bëhet qëllimisht që të konfuzohen mediat.

Gjykata: Ju paralajmëroj.

Meta: Mos më paralajmëro fare, kërkova seancën e kaluar të më japë përgjigje.

Gjykata: Rregullat.

Meta: Rregullat i di mirë unë. Gjykata duhet të jetë e pavarur dhe e paanshme, duhet të marr përgjigje.

Gjykata: Kur flet gjykata…

Meta: Jeni ekstremisht i njëanshëm dhe unë jam këtu si një terrorist ukrainas. Unë nuk e ndërpreva, dëgjova.  Më e mira ndër ju është zonja Irena Gjoka.

Gjykata: Kur nuk ruhen rregullat dhe kur personi vijon të prishë rregullin, gjykata ka të drejtë të vendosë gjobë deri në largim nga procesi.

Meta: Kam shumë respekt për rregullat tuaja edhe për ligjin, por ka edhe logjikë. Përderisa prokurori flet për një episod, është e drejta ime të jap sqarim për këtë episod.

Në 2009, ILDKPI bën një hetim të thelluar për këtë kontratë dhe ka njoftuar Drejtorinë e Pastrimit të Parave për të hetuar. Nuk ka rezultuar më korrespondencë mes këtyre institucioneve. Kjo pasuri, me një pjesë të truallit si pasuri më vete, i shitet shtetasit Baton Haxhiu me një vlerë 380 mijë euro.

Avokati Cakrani dhe Monika Kryemadhi: Lexoje mirë, mos të gënjeni.

Gjykata: Për shkak të mosrespektimit dhe cenimit të solemnitetit, vendosi të gjobisë me nga 10 mijë lekë avokatin Kujtim Cakrani dhe Monika Kryemadhin.

Cakrani: Harrove këtë ta gjobitësh terroristin (dhe tregon nga Meta).

Gjykata: Ju paralajmëroj, përsëritja e shkeljeve do të sjellë masa nga gjykata.

Kllapi: Të gjithë shtetasit e pyetur kanë deklaruar se kontratat reflektojnë të vërtetën. Në vijim, nga telefoni i sekuestruar Fatime Kryemadhit, që më herët i përkiste Monika Kryemadhit, janë përftuar shumë biseda të marrëdhënieve familjare.

Vendimi i gjobitjes erdhi pasi Kryemadhi i tha gjykatës: Meqë në sallë është zëdhënësi i gjykatës, Fabian Zhilla, që ka qenë zëdhënësi i Altin Dumanit, të rrijë deri në fund, se ai e ka bërë akuzën. Se është gazetarske akuza. Të rrijë deri në fund të na dëgjojë edhe neve.

Prokurori: Kryemadhi ka pajtuar me Ema Çokun një arkitekt italian për të kryer punimet e brendshme të vilës. Arkitekti është shoqëruar nga Ema Çoku. Provohet se në datën 16 shtator 2014, Kryemadhi urdhëron të ndërpriten çdo punim. Ndonëse kishin nisur punimet, janë tërhequr nga marrëveshja, pasi marrëveshja ishte korruptive.

SPAK: Në vitet 2008-2009-2010, Meta dhe Kryemadhi kanë jetuar në dy apartamente në ish-Bllok. Në një nga apartamentet ku jetonte Meta, do ta blinte me një shumë prej 400 mijë eurosh. Në një kat më poshtë do t’i blinte apartament Fatimes. Kryemadhi ka marrë kredi dhe janë likuiduar nga Fatime Kryemadhi. Këto shuma janë shlyer në një periudhë të shkurtër nga Fatime Kryemadhi.

Në vijim rezulton që në vitin 2008, Fatime Kryemadhi lidh një kontratë për dhënien e një toke në Mëzez. Në vitin 2010, dy vite pasi jetonin në Bllok, kanë blerë një banesë 400 mijë dollarë. Për shlyerjen e kësaj kontrate, Meta dhe Kryemadhi kanë marrë 200 mijë dollarë kredi, ndërsa pjesën tjetër pretendojnë se e kanë transferuar cash nga vila në Qerret. Transferta, në fakt, është bërë nga Fatime Kryemadhi.

Prokurori Kllapi: Në vitet 2008-2009, Meta dhe Kryemadhi kanë jetuar në zonën e ish-Bllokut.

Meta do të blinte një apartament në rrugën “Vaso Pasha” me vlerë 400 mijë euro. Ndërsa një kat më poshtë do të blinte Fatime Kryemadhi një apartament me vlerë 300 mijë euro.

Më herët, Monika Kryemadhi ka marrë disa overdrafte nga një bankë e nivelit të dytë, të cilat janë shlyer në një kohë të shkurtër nga Fatime Kryemadhi, në atë kohë pensioniste.

Ka dyshime se shumat e parave të marra nga Monika Kryemadhi nuk janë përdorur, por janë depozituar nga Fatime Kryemadhi.

Në vitin 2009, bashkëshortët kanë vendosur të blejnë një banesë në shumën 400 mijë USD, ndërsa Fatime Kryemadhi 310 mijë euro.

Për shlyerjen e kësaj kontrate, Meta dhe Kryemadhi kanë marrë një kredi prej 200 mijë USD. Për shumën tjetër, kanë pretenduar se do të përdornin një shumë prej 200 mijë USD cash, që u kishte mbetur nga transaksioni i pakryer për një vilë në Qerret.

Fatime Kryemadhi jo vetëm që ka depozituar shuma cash, por të dy kreditë shlyhen në bankë për 7 muaj.

Në total, Fatime Kryemadhi rezulton me një disbalancë prej 810 mijë eurosh.

Mekanizmi i lidhjes së dy kontratave të ndryshme është bërë për të futur në rrugë bankare shuma monetare pa burim të ligjshëm.

Meta dhe Kryemadhi nuk kishin mundësi për to, por as Fatime Kryemadhi. Kjo e fundit kishte mundësi vetëm për 100 mijë euro.

Në banesën e saj janë gjetur tre fatura për tërheqjen e 235 mijë USD, por të firmosura nga personi që i shiti apartamentin bashkëshortëve Meta-Kryemadhi.

Rezulton që për të tre ekziston një disbalancë prej 846 mijë USD.

Janë vetëm 200 mijë USD të ligjshme, të ardhura nga kredia.

Cakrani: Dëgjojeni, po flasin me perceptime.

Gjykata: Avokat, po ju tërheq vëmendjen për të tretën herë.

SPAK: Gjatë kontrollit të banesës së Fatimes janë gjetur edhe tre mandate, sikur ka bërë tërheqje në bankë. Të dyja familjet, vetëm me këto transaksione, nuk justifikojnë shumën totale prej 860 mijë dollarësh. Janë vetëm 200 mijë dollarë të ligjshme dhe nuk kanë ekzistuar shuma cash.

SPAK rendit të gjitha pagesat e pajustifikuara nga çifti Meta-Kryemadhi, mes tyre pagesat për arsimimin e fëmijëve dhe pagesat në Londër: Nuk janë deklaruar shpenzimet në klinika mjekësore.

SPAK: Nuk janë deklaruar shpenzime mjekësore në Austri, të shpenzuar nga kryemadhi, Ilir Meta, Bora dhe Era Meta. Nga të gjitha episodet, çifti i bashkëshortëve, nuk kanë bërë deklarime por s’kemi ngritur akuza për të gjitha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër