Mickoski: Maqedonia e Veriut po përballet me problem serioz demografik

Nga D. V.
1,051 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 qershor, Zhurnal.mk – “Maqedonia po përballet me problem serioz në lidhje me demografinë”, vlerëson kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski. Sipas tij, për 20–25 vite, shtetit mund t’i mungojnë 150.000–250.000 njerëz, dhe ai boshllëk do të duhet të plotësohet nga dikush tjetër. Prandaj, sipas tij, duhet të mendojmë për të ardhmen, raporton TRT Balkan, transmeton Zhurnal.

“Duhet të bëhen analiza dhe të mendohet disa dekada përpara, me qëllim që të rinjtë potencialë të mbeten dhe të kontribuojnë për ekonominë maqedonase. Absolutisht, do të vijë koha, ndoshta jo tani, por për 15, 20, 25 vite, kur pamja demografike në Maqedoni do të ndryshojë plotësisht. Vlerësoj se nga perspektiva e sotme, për 15, 20, 25 vite, ndoshta 150–250 mijë njerëz do të na mungojnë në Maqedoni. Ku është problemi? Është një zinxhir. Nëse Evropa ka problem me demografinë, e ka edhe më të madh se ne, atëherë një pjesë e potencialit tonë shkon atje. Pavarësisht zhvillimit të tyre si individë dhe si njerëz, ata krijojnë boshllëk këtu. Që kjo ekonomi të zhvillohet, dikush duhet ta plotësojë atë, dhe logjikisht do të vijnë nga vende të treta, njerëz, punëtorë, për të mbushur hapësirën që do ta lënë ata që do të shkojnë në Evropën Perëndimore. Kështu që, nëse në Evropën Perëndimore pamja demografike përmirësohet dhe arrijmë në fertilitet 2,1, atëherë të rinjtë potencialë do të mbeten këtu dhe do të kontribuojnë për ekonominë maqedonase”, theksoi Mickoski në podcastin “Ku janë paratë”.

Ai gjithashtu theksoi se, edhe pse kjo është një temë shumë e rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të shtetit, kur flet për familjen dhe demografinë, shpesh është i përqeshur dhe i ofenduar nga, siç tha, struktura të caktuara, të cilat i quajti “talog i shoqërisë”. Por, sipas tij, kur udhëheq një shtet dhe dëshiron të lësh gjurmë, duhet të mendosh dhe të analizosh në afatgjatë.

“Kur flas për familjen, kur flas për demografinë, ka struktura të caktuara në shoqëri, unë i quaj talog i shoqërisë, të cilët më përqeshin, më ofendojnë, shkruajnë keq për mua etj., por kjo, thjesht, është e ardhmja. Nëse sot nuk mendoni se çfarë do të ndodhë për 50, 75, 100 vite, nuk duhet të merreni me këtë punë, kërkoni punë tjetër, punë që është ditë për ditë dhe vazhdoni. Nëse tashmë e udhëhiqni shtetin, e udhëhiqni Qeverinë, duhet të analizoni të gjitha aspektet disa dekada përpara nëse doni të jeni njeri që lë gjurmë. Nëse doni të jeni mediokër në politikë, dhe për fat të keq ka pasur shumë tek ne, atëherë do të përfundojmë në këtë situatë”, theksoi Mickoski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër