Shkup, 22 qershor, Zhurnal.mk – Ribalanci i Buxhetit do të shqyrtohet nesër në një seancë të Qeverisë, paralajmëroi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, duke bërë të ditur se do të ketë një korrigjim në rritje të deficitit buxhetor për shkak të nevojave të shtuara për financimin e investimeve kapitale.
“Plani është që nesër, në seancën e rregullt të Qeverisë, të shqyrtohet ribalanci i Buxhetit. Ajo që në këtë moment mund të them është se do të kemi një korrigjim të caktuar të deficitit buxhetor në rritje dhe për herë të parë do të kemi rritje të deficitit buxhetor si rezultat i nevojave të shtuara për financimin e shpenzimeve kapitale, përkatësisht për investimet kapitale, gjë që mendoj se, në përputhje me Ligjin për buxhetet, i justifikon këto rrethana. Në të njëjtën kohë kemi edhe disa korrigjime në anën e të ardhurave, në pjesën e akcizës, për shkak të masave që kemi pasur në periudhën e kaluar, deklaroi Dimitrieska-Koçoska në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve.
Në përgjithësi, sqaroi ministrja e Financave, ka një rritje të shpenzimeve kapitale për infrastrukturë.
“Kemi rritje të shpenzimeve kapitale në pjesën e Ministrisë së Mjedisit Jetësor, kemi rreth disa projekte IPA, kemi rritje për programin AA, kështu që nesër do të informojmë në detaje saktë se cila institucion sa mjete shtesë ka për shpenzimet kapitale,” tha Dimitrieska-Koçoska.
E pyetur sa kanë kushtuar masat për uljen e TVSH-së dhe akcizave që kanë qenë në fuqi gjatë periudhës së kaluar, ministrja tha se akciza duhet të korrigjohet për rreth 1,5 miliardë denarë.
“Është shumë e vështirë të bëhen llogaritje të sakta, sepse ka edhe efekte indirekte. Llogaritjet tona treguan se diku rreth një miliard e gjysmë denarë duhet ta korrigjojmë akcizën. Por duhet të jemi të kujdesshëm, prandaj them se është e vështirë të bëhen projeksione. Mos harroni, në periudhën e kaluar kishim çmimin më të ulët të naftës në rajon. E mbani mend se radhë automjetesh me targa të huaja furnizonin me benzinë në Maqedoni, që do të thotë se, pavarësisht atij efekti pozitiv, ne humbasim 1,5 miliardë. Nëse nuk do të kishte blerje nga shtetas të huaj, sigurisht efekti negativ do të ishte më i madh, pra kjo është ajo që Qeveria e dha si mbështetje për qytetarët dhe ekonominë”, tha Dimitrieska-Koçoska, e cila është nikoqire e Takimit vjetor të Këshillit Drejtues të Qendrës për Përsosmëri në Financa – CEF (2026 Annual Meeting of the CEF Governing Board).
